Në këto ditë me temperatura të larta kur mendohet se konsumi i pijeve energjike mund të zbehë të nxehtin efekti mund të jetë më tepër i dëmshëm se i dobishëm.
Aq më tepër kur përdoret nga më të vegjlit. Mjekët ngrenë shqetësimin se numri i fëmijëve që po shfaqin probleme kardiake nga konsumi i pijeve energjike po shtohet.
“Shohim dhe në konsultat tona të urgjencës pediatrike të kardiopediatërve është shtuar numri i fëmijëve që vijnë me shqetësime, ankesa, pikërisht nga konsumimi I këtyre pijeve energjike. Problem është se gjithnjë e më tepër po ulet mosha e konsumimit të këtyre pijeve energjike. Shohim dhe fëmijë edhe tetë vjeç, edhe diçka nën tetë vjeç që konsumojnë pije energjike shprehet Kuneshka.
Shefja e Kardiologjisë Pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Numila Kuneshka tregon nuk kanë munguar as rastet kur fëmijët kanë pasur nevojë për shtrim në spital.
“Vetë prindi ose fëmija referon se ka konsumuar 1 ose 2 pije energjike dhe i gjejmë të shtruar në spital, me takikardi, rrahje të shpejta, një situatë diskonforti me dhimbje gjoksi e të tjerë”, thotë ajo.
Nuk kanë pasur problematikë tjetër?
Kanë bërë ekzaminime dhe ekzaminimi kardiologjik ka qenë absolutisht normal.
Për çfarë moshe bëhet fjalë?
Kanë qenë të moshës 10 dhe 12 vjeç.
Nuk harroj një fëmijë 16 vjeç qe erdhi me hipertension arterial shumë të rritur 180 me 12 që ishte një gjendje alarmante. E referoi vetë se konsumova 2 -3 pije energjike dhe erdhi në urgjencë më këtë situatë.
Ndikimet negative në shëndet të pijeve energjike sipas mjekes janë të shumta dhe serioze.
“Një kanaçe pije energjike është e barabartë me dy kafe ekspres ose me katër kafe të mëdha filtri. Një përmbajtje e lartë kafeine në moshën pediatrike është shumë e dëmshme. Shton rrahjet e zemrës, shton ankthin, shqetësimin, fëmijët janë të papërqendruar. Së dyti ka një përqindje shumë të lartë të sheqerit që ndikon negativisht si në obezitet, prishjen e dhëmbëve si dhe është një prekusor për shtim të riskut për diabet të tipit dy në moshë më të rritur. Këta fëmijë mund të shkojnë edhe në kriza epileptike nga përdorimi i shumtë i pijeve energjike”
Shoqata Amerikane e Pediatrisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ndalon konsumin e pijeve energjike deri në moshën 18 vjeç. Në Shqipëri tregtimi i tyre tek ata që nuk i kanë mbushur të 18 -tat është i ndaluar. Në këtë situatë mjekja ka një mesazh për prindërit.
“Prindi duhet të jetë i vetëdijshëm të mos i japë lekë fëmijës për të blerë pije energjike ose t’ja blejë vetë. Duhet të bëjë punë graduale. Ti thotë se uji është pija më e mirë”.