Qeveria ka miratuar të mërkurën projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në mbledhjen e mbajtur nga ora 10:00.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se me anë të këtij projektligji rregullohet edhe çështja e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për këtë Fondin e sigurimeve.
“Kjo nismë ligjore është paraprirë nga një proces i detajuar planifikimi, analizimi por edhe diskutimi. Me këtë nismë themelohet fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i Republikës së Kosovës. Për herë të parë përcakton rregullat për listën e barnave të rimbursueshme që do të transformojë rrënjësisht mbështetjen që shteti jep për qytetarët. Me këtë projektligj po rregullohen edhe çështjet e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për fondin e sigurimeve dhe këto kontribute do të jenë një nga burimet e rëndësishme të financimit të shëndetësisë në të ardhmen e afërt”, ka thënë Vitia.
Ai ndër tjera ka thënë se është momenti vendimtar për ngritjen e sistemit shëndetësor në një nivel të ri.
“Konsideroj që ky është një moment vendimtar për vendin tonë, për marrëdhënien qytetar-shtet dhe për ngritjen e sistemit shëndetësor në një nivel të ri. Zbatimi i këtij ligji do të jetë një nga sfidat më domethënëse të qeverisjes sonë dhe me të po japim në të tashmen mbështetjen më të madhe për shëndetësinë dhe për të ardhmen qëndrueshmërinë e shpenzimeve për çështjen e shëndetit”, ka theksuar ministri i Shëndetësisë.
Në konferencën për media pas mbledhjes, ministri Vitia e ka cilësuar këtë projektligj si nisje pa kthim për çështjen e sigurimeve shëndetësore.
Ai ka bërë të ditur se planifikimet janë që të ketë zgjerim të buxhetit në emër të solidaritetit e se të ardhurat që do të arkëtohen në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të jenë 7 për qind (3.5 për qind nga pagat dhe 3.5 nga punëdhënësit)./Koha