Ministrit Çeku i refuzohet sërish vizita në Preshevë

0
61

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, sërish është ndaluar të vizitojë Luginën e Preshevës. Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, njoftoi të mërkurën, ku tha se ky është akt i politikës nacionaliste serbe “e cila fshihet pas një fasade pro-evropiane”.

Ajo ka shkruar në Facebook se regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, po vazhdon të përkëdhelet nga Perëndimi “për arsye gjeostrategjike”.

“Për herë të dytë, pushteti i Vuçiqit ndalon Ministrin Hajrulla Çeku të vizitojë Preshevën! Ky është një tjetër akt i politikës nacionaliste serbe, e cila fshihet pas një fasade pro-evropiane, por në realitet ushqen një regjim autoritar që shkel të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve. Fatkeqësisht, ky regjim vazhdon të përkëdhelet nga Perëndimi për arsye gjeostrategjike, ndërsa shqiptarët e Luginës përballen me diskriminim dhe izolim. Por ne nuk ndalemi!”, ka shkruar ajo.

Sipas Sinanit, Presheva është e vendosur t’i mbajë lidhjet me të gjitha vendbanimet shqiptare dhe të forcojë bashkëpunimin me Kosovën e Shqipërinë.

“Përpjekjet për të na penguar vetëm na bëjnë më të fortë!”, ka shtuar Sinani.

Ministrit Çeku i ishte refuzuar vizita në Preshevë nga autoritetet serbe edhe në dhjetorin e 2024-s.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here