Ministria e Punëve të Brendshme: Vendosja e folieve të xhamave në vetura e ndaluar

0
61

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të qartë se përdorimi i xhamave të errët në automjete mbetet i ndaluar, përveç rasteve të jashtëzakonshme të lejuara me vendim të Ministrit. Ky sqarim vjen pas raportimeve se një praktikë e tillë tashmë lejohet.

MPB-ja ka theksuar se çështja është e rregulluar qartë me Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete dhe Udhëzimin Administrativ Nr. 12/2024 për regjistrimin e automjeteve, ku në nenin 7 specifikohet se vetëm automjetet e prodhuara me xhama të errët lejohet të kenë hijezim të tillë. Vendosja e letrës ngjitëse për hijezim të xhamave mbetet e ndaluar, përveç rasteve të jashtëzakonshme.

“Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin publik se përdorimi i xhamave të errët në automjete është i rregulluar qartë me Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete dhe me Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 12/2024 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve, konkretisht me nenin 7 të këtij udhëzimi. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, lejohet përdorimi i xhamave të errët vetëm për automjetet që janë të prodhuara si të tilla nga prodhuesi. Vendosja e letrës së errët ngjitëse për hijezim të xhamave është e ndaluar, përveç rasteve të jashtëzakonshme që lejohen vetëm me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, pas paraqitjes së kërkesës së arsyetuar dhe dokumentacionit mbështetës”, thuhet në sqarim.

MPB-ja ka paralajmëruar se çdo interpretim tjetër nuk ka bazë ligjore dhe cenon zbatimin e njëtrajtshëm të legjislacionit.

“Ministria e Punëve të Brendshme thekson se çdo interpretim apo praktikë që bie në kundërshtim me këto dispozita nuk ka bazë ligjore dhe cenon zbatimin e njëtrajtshëm të legjislacionit. Këto rregulla janë vendosur me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik, lehtësimit të kontrollit nga organet e rendit dhe parandalimit të aktiviteteve të paligjshme. Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje qytetarëve dhe të gjitha institucioneve që të respektojnë dhe zbatojnë dispozitat ligjore në fuqi dhe të mos bien pre e keqinformimeve lidhur me këtë çështje. Çdo shkelje e këtyre dispozitave do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, përfundon sqarimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here