Ministrat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s mblidhen edhe sot në Bruksel, diskutojnë edhe për situatën në Kosovë

0
154
NAC_1

Sot në selinë e NATO-s do të diskutohet për situatën në Kosovë, pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Këtë e ka bërë të ditur sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, Jens Stoltenberg.

Ai, dje në nisje të takimit dyditor të ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, ka theksuar rëndësinë e rritjes së pranisë së NATO-s në Kosovë, pas rritjeve të tensioneve në veri të vendit.

Ndër të tjera, Stoltenberg tha se është e rëndësishme që NATO-ja ka rritur praninë e saj në Kosovë.

“Po ashtu do të adresojmë edhe praninë tonë në Kosovë. Ne kemi rritje të tensioneve atje, prandaj është e rëndësishme që NATO-ja ka rritur praninë e saj në Kosovë”, tha Stoltenberg.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pas u liruan.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Sulmi u cilësua si akt terrorist dhe agresioni ndaj shtetit të Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.

Pas këtij sulmi NATO-ja ka rritur praninë në Kosovë, duke dërguar trupa shtesë. /Reporteri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here