Pavarësisht interesimit serioz nga dy gjigantët e futbollit evropian, Manchester City dhe Real Madrid, mesfushori holandez Tijjani Reijnders nuk është i gatshëm të largohet nga Milani gjatë verës, shkruan 04 Online.
Sipas La Gazzetta dello Sport, City dhe Real e kanë ndjekur me vëmendje 26-vjeçarin gjatë këtij sezoni, duke përgatitur edhe terrenin për një ofertë zyrtare. Madje, raportet zbulojnë se interesimi ishte i pranishëm që në afatin kalimtar të janarit, por asgjë konkrete nuk ndodhi.
Reijnders ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm, duke shënuar 13 gola, një shifër që e barazon me Jude Bellingham dhe me gjithë repartin e mesfushës së Manchester Cityt, sipas statistikave të publikuara.
Megjithatë, si lojtari ashtu edhe klubi nuk janë të gatshëm të negociojnë largimin. Milan e sheh Reijndërsin si pjesë kyçe të projektit të së ardhmes, dhe lojtari duket se e ndan të njëjtin vizion.
Edhe pse mundësia që City dhe Real të rikthehen me oferta të reja gjatë verës nuk përjashtohet, kuqezinjtë janë të vendosur ta mbajnë yllin e tyre në San Siro, duke refuzuar çdo tundim financiar që mund të vijë nga jashtë./04 Online