Milani është rikthyer me një ofertë të re për Ardon Jasharin. Sipas ekspertit të njohur të transferimeve, Fabrizio Romano, “Rossonerët” kanë ofruar 32.5 milionë euro për yllin shqiptar, shumë që me bonuse mund të arrijë në 38 milionë euro, shkruan 04 Online.
Për mesfushorin 22-vjeçar, interesim kanë shfaqur edhe klubet si Borussia Dortmund, Manchester United, Manchester City, PSG dhe Bayer Leverkusen. Megjithatë, vetë Jashari e ka si prioritet kalimin te Milani.
Topi tashmë është te Club Brugge, që zotëron kartonin e lojtarit dhe më parë ka kërkuar 40 milionë euro për të. Në sezonin 2024/25, Jashari ka luajtur 52 ndeshje me klubin belg, duke shënuar 4 gola dhe dhënë 6 asistime.
Transfermarkt e vlerëson kartonin e tij në 32 milionë euro. Ai ishte transferuar te Brugge nga Luzerni vitin e kaluar për 6 milionë euro dhe ka kontratë deri në vitin 2029.
Përveç Jasharit, drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, po ndjek edhe shqiptarin tjetër, Granit Xhaka të Bayer Leverkusenit./04 Online