Liga e Kampionëve do të rikthehet këtë mesjavë me ndeshjet e kthimit të fazës së “play-off”-it.
Katër ndeshje interesante na presin sonte, kur edhe do të përcaktohen katër ekipet që do ta nxjerrin nga një biletë për në të tetën e finales.
Pa dyshim, krejt fokusi do të jetë tek dueli mes Milanit dhe Feyenoordit.
“Rossoneri” u dorëzuan në Holandë në sfidën e parë javën e kaluar, shkruan “Gazeta Express”.
Por, trupa e Sergio Conceicaos do ta kërkojë sonte përmbysjen e madhe të rezultatit dhe kalimin tutje.
Të prirë nga tifozët e tyre të flaktë, Kuqezinjtë shihen si favoritë për të fituar në San Siro.
Kurse, holandezët e kanë marrë rrugën drejt Italisë për ta ruajtur kapitalin e krijuar në ndeshjen e parë në shtëpi.
Ndërkohë, Bayern Munichu e sheh veten me një këmbë në të tetën e finales.
Por, gjigantit bavarez i nevojitet veç konfirmimi sonte në duel me Celticun.
Klubi më i madh gjerman e fitoi lojën e parë në Skoci, 2:1, ndërsa në “Allianz Arena” do ta kryejë formalitetin dhe t’i japë vulë kualifikimit.
Edhe Atalanta e Berat Gjimshitit do ta ketë mision përmbysjen e rezultatit nga ndeshja e parë.
Ekipi bergamask u mposht nga Club Brugge në Belgjikë javën e kaluar, ndërsa sonte e kërkon rikthimin e rezultatit.
Por, belgët s’do të shkojnë me flamur të bardhë në Itali, assesi.
Benfica, nga ana e saj, është në avantazh ndaj Monacos, të cilën e mposhti në udhëtim javën e kaluar, 1:0.
Sonte, ekipi portugez do të mundohet t’i japë vulë kualifikimit me ndeshjen që do ta zhvillojë në shtëpi.
Nga ana tjetër, francezët do të japin gjithçka nga vetja për ta përmbysur rezultatin, ndonëse i pret një punë mjaft e vështirë.
Tri prej katër ndeshjeve të sontme do të nisin prej orës 21:00.
