Miftaraj: Vendimi i Osmanit për mosdekretim të Isufajt i bazuar në ligj, KPK-ja të japë llogari

0
128

Drejtori i Insitutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj, ka thënë se vendimi i presidentes Vjosa Osmani, për të mos e dekretuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të shtetit, është në linjë të njëjtë me qëndrimet e organizatave joqeveritare, reagimet e ambasadave, Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian.

Në një reagim në Facebook Miftaraj ka thënë se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka dështuar të udhëheqë një proces të bazuar në meritokraci dhe me integritet.

“Nuk është hera e parë që Këshilli dështon në procese të tilla. Njëjtë kishte vepruar edhe me emërimin e Kryeprokurorit të PSRK dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Njëjtë kishin reaguar ambasadat e huaja, organizatat jo-qeveritare, Zyra e BE-së dhe Komisioni Evropian, duke i kontestuar këto procese dhe duke kritikuar Kosovën për gjendjen në sistemin prokurorial”, ka shkruar Miftaraj.

Ai ka përgëzuar Osmanin për siç ka thënë, lidership dhe vendimmarrje të bazuar në Kushtetutë, ligj dhe praktikën e ndërtuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Sot duhet kërkuar llogari dhe përgjegjësi tek Këshilli Prokurorial pse po dështon vazhdimisht të sigurojë meritokraci dhe integritet në procese të rëndësishme të emërimeve të larta në sistemin prokurorial”, ka shkruar Miftaraj.

Sipas tij Këshilli Prokurorial duhet të zhvillojë një proces të ri “i cili proces duhet të fillojë përmes ndryshimit të Rregullores dhe dokumenteve përcjellëse dhe të sigurojë një proces të pavarur, të drejtë të bazuar në meritokraci dhe me integritet”.

Një vit e gjysmë pasi Këshilli Prokurorial e zgjodhi Blerim Isufajn për kryeprokuror të ardhshëm të shtetit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se nuk do ta dekretojë këtë emër. Në një konferencë për media të martën, Osmani ka thënë se ka pasur “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes” dhe se “është e obliguar, duke pasur parasysh shkeljet, të mos e bëjë dekretimin” e Isufajt për kryeprokuror.

“Përgjegjësia ime për garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve më obligon që ndaj një procesi të tillë që cenon rëndë parimet dhe vlerat fondamentale të Kushtetutës sonë, sikur edhe prodhon padrejtësi konkrete e diskriminim, të mos rri duarkryq. Prandaj sot e kam njoftuar KPK-në lidhur me këtë vlerësim të procedurës, që duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e përmendura më obligon që të mos bëj dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror”, ka thënë ajo./Reporteri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here