Metin Sojtari nga Prizreni shpallet Kampion i Mesdheut dhe fiton “IFBB Pro Card”

0
682

Në datat 6 deri më 9 nëntor 2025, në Maltë u mbajt Kampionati Mesdhetar (Mediterranean Championship), ku morën pjesë atletë nga 24 shtete të rajonit. Kosovën e përfaqësoi me sukses atleti prizrenas Metin Sojtari, i cili arriti një sukses historik për sportin e fitnesit dhe bodybuildingut në vend, shkruan 04 Online.

Sojtari u shpall kampion në dy kategori, Men’s Physique Junior (-23 vjeç) dhe Men’s Physique Senior (-170 cm).

Por triumfi i tij nuk u ndal me kaq, ai fitoi edhe titullin më të madh të garës, duke u shpallur “Kampion Absolut i Mesdheut”.

Falë këtij suksesi të jashtëzakonshëm, Metin Sojtari fitoi edhe “IFBB Pro Card”, një njohje prestigjioze ndërkombëtare që e ndanë vetëm një numër i kufizuar sportistësh në botë. Kjo kartë e bën atë sportist profesionist të Federatës Ndërkombëtare të Bodybuildingut (IFBB).

Sojtari është vetëm 22-vjeçar, dhe fakti që ka arritur ta fitojë këtë kartë në një moshë kaq të re, e bën suksesin e tij edhe më të veçantë, është theksuar nga përfaqësues të garës.

Pas këtij triumfi të madh, Metin Sojtari tashmë ndodhet në fazë përgatitore për garën më të madhe të vitit, Kampionatin Botëror të IFBB-së, që do të zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE) nga 27 nëntor deri më 2 dhjetor 2025.

Ky është një tjetër hap i madh për sportistin prizrenas që po ngjitet me shpejtësi në skenën ndërkombëtare të bodybuildingut, duke përfaqësuar me krenari Prizrenin dhe Kosovën./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here