Mesazhi i qartë i Britanisë për mbështetjen ndaj Kosovës, Cameron ‘dridh’ Serbinë me deklaratat

0
196

Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, ka zgjedhur Kosovën si shtetin e parë për të nisur vizitat zyrtare në vitin 2024. Mbrëmjen e 3 janarit, Cameron u prit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, nga homologia e tij kosovare, Donika Gërvalla Schwarz, për t’u takuar më pas me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, raporton Gazeta Sinjali.

Në takim me kryeministrin u fol për fushat dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit mes dy vendeve, teksa Kurti e njoftoi Cameronin me progresin dhe arritjet e Kosovës.

“Ai e falënderoi Sekretarin Cameron për kontributin e tij edhe sa ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë Kosovës në çlirimin, pavarësimin, demokratizimin, zhvillimin e brendshëm dhe integrimin ndërkombëtar, dhe tash së fundmi në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit me Serbinë me zbarkimin e 200 ushtarëve britanikë në tetor të vitit të kaluar në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Cameron nuk ka hezituar ta shpreh krenarinë e tij për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës, duke e bërë të qartë faktin dhe mbështetjen e palëkundur për shtetin më të ri në Evropë.

 “Unë jam këtu për të përforcuar faktin që ne ju mbështesim juve. Duam që të ju ndihmojmë në rrafshin e sigurisë, atë të zhvillimit ekonomik, të qeverisjes dhe në të gjitha çështjet me të cilat përballeni. Kemi qenë mbështetës afatgjatë të Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë”, ka thënë Cameron.

E, mëngjesin e sotëm e nisi me një takim me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ku në një konferencë të përbashkët për media, Cameron tha se Britania e Madhe është mbështetëse e fuqishme e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Mbi të gjitha më e rëndësishme është që të ndërtohet një shtet ku të gjithë ndihen se kanë të ardhme të sigurt, të gjitha komunitetet”, ka theksuar ai, duke shtuar se Britania do të ndihmojë edhe në përpjekjet për njohje ndërkombëtare.

Cameron ka theksuar rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, gjë në të cilën shtoi se edhe Britania po investon.

Jemi mbështetës të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, sovranitetit, dhe të drejtës për tu njohur plotësisht nga të tjerët si shtet sovran… Sigurisht do t’ju ndihmojmë në betejën për t’u njohur në forume ndërkombëtare, që është e rëndësishme dhe e meritoni”, ka thënë kryediplomati britanik.

Mirënjohje ndaj Cameron dhe Britanisë së Madhe, shprehi edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila gjatë takimit e ka falënderuar atë për mbështetjen e palëkundur përgjatë viteve, përfshirë edhe mbështetjen diplomatike në procesin e integrimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare.

Por këto deklarata të fuqishme që konfirmojnë mbështetjen e Britanisë së Madhe ndaj Republikës së Kosovës, nuk u kanë pëlqyer akterëve politikë në Serbi.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se deklarata e Cameron se Britania e Madhe do të ndihmojë Kosovën të marrë njohje të reja, është jashtëzakonisht hipokrite dhe meriton dënimin më të ashpër.

Siç raporton mediumi serb Tanjug, Daçiq ka kritkuar kryediplomatin britanik se përse nuk e komentoi që “kryeministri Albin Kurti dhe Kosova refuzojnë ta zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit në lidhje me Asociacionin”.

Kreu i diplomacisë serbe ka kritikuar Cameron edhe më tej, duke thënë se s’ka folur “për terrorin dhe dëbimin e dhunshëm të më shumë se 200 mijë serbëve, si dhe për shkatërrimin e kishave dhe manastireve të krishtera serbe nga mesjeta”, ndërkaq i njëjti i premton Kosovës “ndihmë me njohje të reja dhe pranim në institucionet ndërkombëtare

Vizitën e tij në Kosovës, David Cameron, e ka përmbyllur me një postim në platformën ‘X’ [ish-Twitter], duke thënë se Mbretëria e Bashkuar është krenare për partneritetin e saj të vazhdueshëm me Kosovën.

Mbretëria e Bashkuar është krenare për partneritetin e saj të vazhdueshëm me Kosovën si një mbështetëse e gjatë e pavarësisë së saj. Faleminderit, ministre e Jashtme @Gervallaschëarz, presidente @VjosaOsmaniPRKS dhe kryeministri @Albinkurti që më takuan për të diskutuar se si mund të punojmë së bashku për të ruajtur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Cameron.

Kujtojmë se kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 Shkurt 2008, Mbretëria e Bashkuar u bë një nga vendet e para që e njohu zyrtarisht Kosovën sovrane më 18 shkurt të vitit 2008.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here