Klubet angleze shpenzuan 742 milionë stërlina gjatë merkatos së janarit, sipas një raporti të ri të FIFA-s, i cili thekson se është vendosur një rekord i ri.
FIFA ka publikuar një raport, në lidhje me merkaton e janarit, i cili thekson më tej dominimin e Premier League në tregun e transferimeve. Raporti thekson se 1.29 miliardë stërlina u shpenzuan në mbarë botën gjatë muajit, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 1.11 miliardë stërlina të vendosur në vitin 2018.
Klubet angleze kanë shpenzuar në total 742 milionë stërlina në merkaton e dimrit, që përkthehet në një rritje të madhe në shpenzimet e tyre, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 412 milion stërlina.
FIFA në raport thekson se shifra e shpenzuar në merkaton e janarit përfaqësojnë një rritje prej 150 % krahasuar me shpenzimet e klubeve anglez në janar 2022.
Listën e kryson Chelsea, me pronarin amerikan Todd Boehly që shpenzoi një shumë rekord prej 323 milion stërlina për tetë lojtarët e transferuar. Chelsea në merkaton dimërore shpenzoi më shumë se të gjitha klubet në Serie A, LaLiga, Ligue 1 dhe Bundesliga së bashku.
“Blutë e Londrës” në fundin e janarit përfunduan me sukses transferimin e Enzo Fernandez për shumën e 107 milionë stërlinave nga Benfica, me yllin argjentinas që u bë transferimi rekord në Premier League.
Anësori ukrainas Mykhailo Mudryk dhe mbrojtësi francez Benoit Badiashile ishin gjithashtu në mesin e tetë nënshkrimeve të janarit të klubit, duke u bashkuar për 88 dhe 35 milionë stërlina respektivisht.
Newcastle dhe Liverpool ishin gjithashtu në mesin e klubeve të Premier League që kryen transferime të mëdha në janar. Anthony Gordon, u transferua drejt Newcastle për shumën e 45 milionë stërlina nga Everton, ndërsa Cody Gakpo iu bashkua Liverpool nga PSV për 44 milion stërlina.
Klubet franceze ishin të dytat me shpenzimet më të larta në merkaton e janarit sipas FIFA-s, me 108 milionë stërlina të derdhura për merkaton e janarit.
Klubet gjermane shpenzuan rreth 71 milionë stërlina, ndërsa listën e plotësojnë klubet braziliane dhe portugeze me 58 milionë dhe 39 milionë stërlina shpenzime.
Kubet në Francë dhe Portugali fituan më shumë para nga shitjet gjatë merkaton dimërore. Në kampionatin francez fitimet arrijnë shifrën e 178 milion stërlina, ndërsa në atë portugez fitimet janë 160 milion stërlina, me Benfican që kryeson renditjen prej transferimit të Enzo Fernandez te Chelsea.
Gjithashtu raporti i FIFA-s zbuloi se numri i përgjithshëm i transfertave ndërkombëtare në të gjithë botën u rrit me 14.4 %, duke arritur në një total prej 4,387 transferimesh ndërkombëtare në futbollin e meshkujve.