Merkato në orët e fundit/ Zbulohen shifrat e transferimit të Zhegrovës te Juvja! Milan merr Rabiot dhe mbrojtësin e Liverpool, Napoli bën gati firmën me Hojlund

0
60

Merkatoja e futbollit ka hyrë në orët e fundit dhe lëvizjet e mëdha nuk kanë munguar.

Juventus ka mbyllur marrëveshjen për Edon Zhegrovën nga Lille, ndërsa Nico Gonzalez ka kaluar te Atletico Madrid. Milan ka siguruar Adrien Rabiot nga Marseille dhe është pranë Joe Gomez, duke lënë të lirë Musah për Atalantën dhe Jimenez për Bournemouth. Napoli, nga ana tjetër, ka gjetur sulmuesin e ri me Rasmus Hojlund, i transferuar nga Manchester United. Tregu është ende i hapur dhe surprizat e fundit mund të vendosin ekuilibrat e rinj në Serie A.

Juve, goditja është Zhegrova: ka marrëveshje me Lille. Nico Gonzalez përshëndet dhe shkon te Atletico

Është kryer mes Juventusit dhe Edon Zhegrovës. Pas “ok”-it të futbollistit për transferimin te bardhezinjtë, drejtori Comolli ka arritur marrëveshjen edhe me Lille për blerjen e kosovarit të kërkuar prej kohësh nga Marseille i De Zerbit. Francezët, që do të arkëtojnë 22 milionë euro, përfshirë bonuset (duhet të përfshihet edhe një përqindje nga shitja e ardhshme), i kanë dhënë leje 26-vjeçarit të udhëtojë drejt Italisë. Pas vizitave mjekësore të planifikuara të hënën në mëngjes, futbollisti i lindur në vitin 1999 do të firmosë kontratën deri në vitin 2030 me një pagë prej 2,5 milionë euro në sezon.

Ndërkohë, bardhezinjtë përshëndesin Nico Gonzalez pas vetëm një sezoni. Colchoneros marrin ish-lojtarin e Fiorentinës me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje, që do të bëhet detyrim pas një numri të caktuar ndeshjesh që argjentinasi do të zhvillojë në Madrid. Marrëveshja parashikon një shumë totale prej 33 milionë eurosh.

Juventus mbyll marrëveshjen për Lois Openda, pengesat për Randal Kolo Muani vazhdojnë

Juventus ka konfirmuar një lëvizje të rëndësishme në merkato pas vështirësive për transferimin e Randal Kolo Muani. Sulmuesi i RB Leipzig, Lois Openda, pritet të bëhet zyrtarisht përforcimi i ri i Bianconerëve.

Sipas La Gazzetta dello Sport, Openda do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore në Torino më pas gjatë ditës përpara firmosjes së kontratës. Lëvizja do të realizohet fillimisht me huazim, me mundësinë për blerje të përhershme, që mund të kthehet në detyrim blerjeje nëse plotësohen disa kushte. Sulmuesi pritet të firmosë një kontratë me vlerë 4 milionë euro në sezon.

Menaxhmenti i Juventusit e kishte vendosur si prioritet rikthimin e Kolo Muani, por përpjekjet u bllokuan nga disa faktorë: dëshira e Vlahovic për të qëndruar, mungesa e ofertave të përshtatshme për të, kufizimet e Financial Fair Play, si dhe refuzimi i PSG-së për të pranuar një formulë më fleksibile që lejonte Bianconerët të shpërndanin shumën e fundit të pagesës në verën e ardhshme.

Si pasojë, Kolo Muani, që ka pritur Juventus gjatë gjithë verës, tani ka vetëm disa orë për të gjetur një klub tjetër në Premier League.

Rabiot-Milan, marrëveshja u krye: ok i Marseille, vizitat dhe firma në Francë. Edhe Joe Gomez pranë

Adrien Rabiot, lojtari i preferuar i Massimiliano Allegrit që e ka kërkuar shprehimisht, është praktikisht lojtar i Milanit. Pas largimit të Musah drejt Atalantës, klubi kuqezinj përshpejtoi ndjeshëm bisedimet me Marseille duke ofruar 10 milionë euro plus 2 bonus (francezët kërkonin 15 në total), shifër që i ka bindur. Rabiot, që do të firmosë një kontratë 4-vjeçare me 6 milionë euro në sezon plus një bonus, do të kryejë vizitat mjekësore në Francë para se të bashkohet me kombëtaren e tij.

Ndërkohë Milani ka gjetur marrëveshje edhe me Liverpool për Joe Gomez, qendërmbrojtësin me eksperiencë të zgjedhur për të kompletuar repartin. Me lojtarin po përpunohen detajet e marrëveshjes mbi bazën e 3,5 milionë eurove në sezon deri në vitin 2029. “Reds” do të marrin 15 milionë euro për transferimin përfundimtar. Boshti Romë-Milano është i nxehtë, por negociatat për shkëmbimin mes Gimenez dhe Dovbyk, që dukej se po shkonin drejt një “po”-je përfundimtare, kanë marrë papritur një ngadalësim të madh. Pasditen e së dielws, teza për transferimin e  meksikanit në Romë dukej se po funksiononte, aq sa klubet po diskutonin detajet e fundit. Por diçka nuk shkoi siç duhet: Gimenez duket se nuk gjeti marrëveshje ekonomike me verdhekuqtë dhe edhe Roma tani duket më pak e bindur për këtë shkëmbim.

Sa i pwrket merkatos në dalje: Alex Jimenez, gjatë natës u mbyll marrëveshja me Bournemouth mbi bazën e një huazimi me të drejtë blerjeje prej 22 milionë eurosh, që do të bëhet detyrim në kushte shumë të lehta – aq sa mund të konsiderohet si një shitje përfundimtare. Real Madrid kishte të drejtë riblerjeje për spanjollin, por nuk e ushtroi. Me kalimin në Premier League, lojtari i lindur në vitin 2005 do të shkëputet përfundimisht nga “Los Blancos”.

Në lamtumirë edhe Yunus Musah, që megjithatë mbetet në Serie A dhe shkon te Atalanta. Marrëveshja ishte në ajër prej ditësh, por u mbyll të shtunën në mbrëmje, pasi Milani e mbajti si masë paraprake për ndeshjen me Lecce pas dëmtimit të Jasharit. Struktura është e ngjashme me atë të Jimenez: Atalanta do të paguajë 4 milionë për huazimin plus 26 për të drejtën e blerjes, si dhe 10% nga shitja e ardhshme. Para transferimit, Musah do të rinovojë kontratën me Milanin.

Gjithashtu, Milanello do ta lërë edhe Samu Chukwueze, që është pranë transferimit te Fulham. Nigeriani po shkon drejt Londrës për të kryer vizitat mjekësore sot.

Napoli, vizita mjekësore për Hojlund dhe më pas firma: pritet njoftimi i De Laurentiis

Buzëqeshja e Rasmus Hojlund ka hapur ditën romane të sulmuesit danez, i mbërritur të shtunën në Itali dhe që të dielën paradite kreu vizitat mjekësore në Villa Stuart. Pas daljes nga klinika, ish-lojtari i United bëri selfie dhe nënshkroi autografe përpara se të bashkohej me kombëtaren. Tani pritet njoftimi zyrtar, i paraprirë nga mesazhi i zakonshëm i mirëseardhjes i presidentit De Laurentiis në rrjete sociale. Marrëveshja me Manchester United u mbyll të premten në mbrëmje mbi bazën e një huazimi me pagesë prej 6 milionë eurosh plus detyrim blerjeje prej 44 milionë në rast kualifikimi të Napolit në Champions League. Anglezët do të marrin gjithashtu 5% nga shitja e ardhshme. Në marrëveshje është përfshirë edhe një klauzolë prej 85 milionë eurosh.

Ish-lojtari i Atalantës do të fitojë 5 milionë euro plus bonus deri në vitin 2030, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 3,5 milionë që merrte në Premier League.

Antonio Conte përqafon kështu zëvendësuesin e Romelu Lukaku-t, i dëmtuar në muskulin e kofshës së majtë dhe jashtë fushave për të paktën tre muaj. Rasmus Hojlund, 22-vjeçar sulmues danez, ka luajtur më parë në Serie A në sezonin 2022/2023 me Atalantën: 9 gola në 32 ndeshje, përpara transferimit te Manchester United për shifrën rekord prej 70 milionë euro plus bonuse.

Në “Old Trafford”, pas një sezoni të parë të mirë me 17 gola gjithsej mes kampionatit dhe kupave, pasoi një sezon i dytë më i zbehtë (12 gola) dhe një marrëdhënie që nuk funksionoi me trajnerin e ri Amorim. Tani e pret një aventurë e re nën urdhrat e Contes dhe te Napoli, që ka mposhtur ofertën e Leipzig, i futur në fund në negociata – por zgjedhja e danezit për destinacionin italian ka qenë vendimtare./TCh

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here