Mërgata, humbja e gjuhës, humbja e identitetit!

0
858

Në udhëtimin e fundit në Sicili, vendosa të vizitoja komunitetin e Horës së Arbëreshëvet. Ishin shprehur fjalë të mëdha për këtë komunitet, të cilët ishin shpërngulur nga Arbëria para 600 vitesh. Për habinë time, ata ende ruanin gjuhën e tyre arbërore, e flisnin pa hezitim e me krenari. Kjo më kujtoi diçka të trishtuar për mërgatën tonë bashkëkohore.

Ne të gjithë jemi dëshmitarë se mërgimtarët tanë, të cilët kanë lënë Kosovën për një jetë më të mirë në Gjermani, Zvicër apo gjetkë, po humbasin identitetin e tyre përmes humbjes së gjuhës. Një skenë që përsëritet kudo: fëmijët flasin gjermanisht me prindërit e tyre, dhe prindërit, në përpjekje për të qenë të kuptuar, përgjigjen në të njëjtën gjuhë. Edhe kur vijnë në vendlindje, nuk dëgjon shpesh fjalën shqipe në bisedat e tyre. Po, shumica e gjeneratës së dytë nuk ka lindur në Kosovë, por a do të thotë kjo se duhet të braktisin rrënjët e tyre?

Është e dhimbshme të shohësh sesi një komunitet që ka ruajtur gjuhën dhe kulturën e tij për 600 vite të plota, edhe në një mjedis të huaj, të na japë mësim për diçka që ne po e humbasim brenda dy-tre dekadave. Arbëreshët e Sicilisë komunikonin me njëri-tjetrin dhe me vizitorët në gjuhën e tyre arbërore, pa asnjë kompleks. Ndërsa mërgimtarët tanë, të cilët kanë lënë Kosovën më së shumti për arsye ekonomike, po e shesin gjuhën dhe kulturën e tyre për një iluzion të integrimit të plotë në një shoqëri të huaj.

A është integrimi në një vend të huaj i pamundur pa humbjen e gjuhës dhe identitetit tonë? Jo. Integrimi nuk duhet të jetë një proces asimilimi. Mund të ruajmë kulturën tonë, ndërsa bëhemi pjesë aktive e një shoqërie të re. Mësimi i gjuhës së vendit ku jetojmë është i domosdoshëm, por jo në dëm të gjuhës sonë amtare.

Gjuha është më shumë se një mjet komunikimi; është një lidhje me historinë, kulturën dhe identitetin tonë. Humbja e saj është humbje e vetvetes. Nëse mërgimtarët tanë do të ndalonin për një moment dhe do të mendonin për pasojat afatgjata të braktisjes së gjuhës shqipe, ndoshta do të kuptonin rëndësinë e ruajtjes së saj. Le të mësojmë nga Arbëreshët e Sicilisë. Le të ruajmë dhe promovojmë gjuhën tonë, duke u siguruar që edhe fëmijët tanë të flasin shqip me krenari dhe dashuri.

Ndryshe, rrezikojmë të bëhemi një komunitet pa rrënjë, që e ka harruar vetveten në përpjekje për të gjetur një identitet të ri. Identiteti ynë është ai që duhet të na mbajë të lidhur, pavarësisht se ku jetojmë. Le të bëhemi një shembull i mirë për brezat e ardhshëm, duke ruajtur atë që na bën të veçantë.

Shkruan: Blerim Q. SERAMATI

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here