Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë të ndryshme pa leje, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar dje në fshatin Gjinoc të Suharekës, ku Policia në koordinim me Prokurorinë ka bastisur një shtëpi, nën dyshimet për posedim të armëve ilegale.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një armë gjysmë automatike me karikator.
47-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“