Hipertensioni, i njohur ndryshe si “vrasësi i heshtur”, nuk është më një problem vetëm për të moshuarit. Sot, një në tre shqiptarë përballet me tensionin e lartë të gjakut, dhe ajo që shqetëson më shumë mjekët është rritja e rasteve mes të rinjve.
Të dhënat e fundit tregojnë se rreth 35% e të rinjve mbi 18 vjeç janë tashmë hipertensivë. Ndërkohë, më shumë se 50% e atyre që vuajnë nga kjo sëmundje nuk janë të vetëdijshëm për të, pasi shpesh nuk shfaq simptoma të qarta.
Një matje e thjeshtë e tensionit arterial mund të jetë kyçe për zbulimin dhe parandalimin e problemeve serioze si sëmundjet e zemrës, goditjet në tru apo dëmtimet në veshka.
Mjekët bëjnë thirrje për një stil jetese më të shëndetshëm: më pak kripë në ushqim, aktivitet fizik i rregullt, shmangie e duhanit, alkoolit dhe pijeve energjike — sidomos tek të rinjtë.
Tensioni i lartë mund të shfaqet me dhimbje koke, marrje mendsh, turbullim të shikimit, vështirësi në frymëmarrje dhe humbje ekuilibri. Por shpesh, ai rri i fshehur deri në momentin kur shkakton pasoja serioze.
Zbulimi i hershëm dhe kontrolli i rregullt janë mënyrat më të mira për të mos lejuar që hipertensioni të kthehet në një kërcënim për jetën.