Më shumë se tre dukuri në formë merimange në lëkurë kërkojnë kontroll të gjëndrës tiroide dhe mëlçisë

0
34

Angioma në formë merimange mund të shfaqet kudo në trup, më shpesh tek fëmijët, të rriturit e rinj dhe gratë shtatzëna. Prania e më shumë se tre njollave të tilla mund të tregojë gjendje shëndetësore më serioze

Angiomat në formë merimange janë grumbull enësh gjaku nën sipërfaqen e lëkurës që ngjajnë me një merimangë. Në lëkurë shfaqen si njolla të kuqe deri në vjollcë, zakonisht janë të padëmshme, por nëse ka më shumë se tre të tilla në trup, mund të tregojnë gjendje serioze shëndetësore.

Këto dëmtime ë formë merimange mund të shfaqen kudo në lëkurë. Shumica e rasteve janë beninje, pra jo kancerogjene dhe nuk paraqesin rrezik për shëndetin, dhe me kalimin e kohës zbehen ose zhduken.

Çfarë është angioma në formë merimange?

Angioma në formë merimange është një njollë e vogël e kuqe deri në vjollcë në lëkurë, e shkaktuar nga enët e zgjeruara të gjakut (kapilarët) afër sipërfaqes së lëkurës. Emrin e kanë marrë sepse duken si trup dhe këmbë merimange.

Deformimet mund të shfaqet tek çdokush, pavarësisht nëse personi është i shëndetshëm apo i sëmurë, por është i zakonshëm tek personat që:

▪ kanë gjendje si cirrozë, artrit reumatoid ose hepatit
▪ janë shtatzëna
▪ janë të kequshqyer
▪ janë të gjinisë femërore
▪ marrin kontraceptivë oralë

Si duket angioma në formë merimange

Angioma në formë merimange duket si:

▪ Njollë e rrafshët ose pak e ngritur, e kuqe deri në vjollcë në lëkurë, e ngjashme me një puçërr të vogël
▪ Njolla ka vija të kuqe deri në vjollcë që shtrihen nga qendra, ngjajnë me këmbët e merimangës
▪ E gjithë njolla zhduket kur vendoset gishti mbi të, dhe rishfaqet kur gishti largohet nga lëkura
▪ Angiomat në formë merimange nuk shkaktojnë dhimbje dhe mund të gjakosin pak nëse dëmtohen

Ku shfaqen në trup?

Këto zgjerime anormale të enëve të vogla të gjakut mund të shfaqet kudo në lëkurë, por më shpesh gjendet në duar, fytyrë, gishta, këmbë, qafë dhe trup, shkruan Cleveland Clinic, përcjell Telegrafi.

Çfarë e shkakton angiomën në formë merimange?

Enët e zgjeruara të gjakut shkaktojnë shfaqjen e angiomeve në formë merimange në lëkurë. Enët e gjakut zmadhohen kur muskujt kufizojnë rrjedhjen e gjakut në arteriola, të cilat janë tuba të vegjël që dalin nga arteriet (enët kryesore të gjakut) dhe çojnë në kapilarë (enë të vogla e të holla gjaku). Shkaku i zgjerimit të enëve të gjakut nuk dihet.

Studimet tregojnë se dëmtimet në formë merimange formohen kur ka shumë estrogjen në trup – hormon që ndihmon sistemin riprodhues të mbetet i shëndetshëm.

A është angioma në formë merimange shenjë e një gjendjeje themelore?

Deformimet zakonisht janë të padëmshme, por nëse ka më shumë se tre në lëkurë, kjo mund të jetë shenjë e një gjendjeje tjetër, si:

▪ Hepatit alkoolik
▪ Sëmundje të mëlçisë
▪ Cirrozë e mëlçisë
▪ Artrit reumatoid
▪ Tirotoksikozë

Si diagnostikohet?

Mjeku e ekzaminon vizualisht dukurinë në lëkurë për të diagnostikuar angiomën në formë merimange, pasi ngjyra, madhësia dhe forma e saj janë të veçanta. Mjeku mund të pyesë edhe se sa kohë ka që është shfaqur dhe për simptoma shtesë.

Nëse ka disa angioma, mjeku mund të rekomandojë analiza, si analiza gjaku, për të kontrolluar funksionin e mëlçisë ose sëmundjet e gjëndrës tiroide, si dhe gjendje të tjera.

Si trajtohet?

Angiomat në formë merimange nuk kanë nevojë për trajtim pasi shumica zhduken me kalimin e kohës. Fëmijët dhe të rinjtë shpesh i tejkalojnë këto angioma, të cilat zhduken me kalimin e moshës. Zhduken edhe pas lindjes tek gratë shtatzëna, zakonisht pas disa muajsh.

Disa njerëz zgjedhin t’i heqin për arsye kozmetike, nëse nuk u pëlqen si duken në lëkurë, gjë që bëhet me terapi me laser, ku një rreze e fuqishme drite shënjestron enët problematike të gjakut, ose me gjilpërë elektrike (elektrodesikacion) për të djegur angiomat.

Është e zakonshme që angiomat të rikthehen pasi hiqen nga mjeku.

Kush ka më shumë se tre angioma, duhet të konsultohet me mjekun pasi kjo mund të jetë shenjë e një gjendjeje themelore që kërkon trajtim. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here