Me pranimin e propozimit, Kosova pranon Asociacionin – propozimi është de facto njohje

0
154

Hapësirë për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të ndryshuar propozimin evropian për “marrëveshjen bazë“ për normalizimin e raporteve nuk ka. Ata të hënën do të diskutojnë për implementimin e propozimit e jo për përmbajtjen pasi përmbajtja është tepër mirë e njohur për ta.

Kështu ka thënë të premten në Bruksel një zyrtar i lartë i BE-së duke folur në prag të takimit të së hënës mes Kurtit e Vuçiqit në kuadër të dialogut në nivel të lartë.

Fakti se ky takim është shtyrë kaq gjatë, ndërkohë që propozimi ka marrë një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare dhe se BE-ja ka thënë më herët se nuk do të thërrasin takim të tillë përderisa nuk do të kenë sinjal të qartë se në të do të ketë rezultate konkrete, bën që optimizmi në Bruksel kësaj radhe të jetë më i madh sesa më herët.

Burimet në Bruksel kanë thënë se presin që Kurti dhe Vuçiqi, pa diskutime të mëtejme, ta pranojnë propozimin dhe të diskutojnë vetëm për implementimin e marrëveshjes. Sepse, nëse do të nisin të kërkojnë ndryshime në tekst, atëherë gjithçka mund të devijojë.

“Ky do të jetë takimi i gjashtë me radhë në mes të këtyre dy liderëve. Por pa dyshim është më i rëndësishmi deri më tash sepse në të do të pajtohen për marrëveshje bazë e në takimet e fundit ishin marrë më shumë për menaxhimin e krizave. Presim që këta liderë të hënën të miratojnë propozimin sepse për përmbajtjen e tij janë në dijeni që nga shtatori. Nuk ka hapësirë që të pajtohen për një pjesë e jo për pjesët tjera“, ka thënë ky burim.

Sipas zyrtarit të lartë të BE-së “çështja më e vështirë pritet të jetë krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, por ka shtuar se Kosova e ka të qartë se duhet, pa kushte, ta implementojë këtë obligim.

“Asociacioni është pjesë e këtij propozimi. Pra me pranimin e këtij propozimi nënkuptohet edhe pranimi i zbatimit të obligimit për krijimin e këtij Asociacioni”, ka thënë ky zyrtar i Bashkimit Evropian.

Ky zyrtar i lartë i BE-së është pajtuar edhe me interpretimet se ky propozim nënkupton edhe njohjen de facto të Kosovës. Marrëveshja, nëse pranohet, do të jetë vetëm një rrugë drejt qëllimit final, e ai është normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve. Por, ka thënë ky zyrtar, “ky është maksimumi i cili është i mundshëm në këtë moment“.

I pyetur për qëndrimet e Rusisë, zyrtari i lartë i BE-së është shprehur se Rusia po bën përpjekje për të destabilizuar rajonin dhe, sipas tij, po bën presion dhe presidentit serb Vuçiq që ta refuzojë këtë propozim.

“Kemi parë deklaratat e ambasadorit të Rusisë në Beograd kundër kësaj marrëveshjeje. Rusia thotë se duhet pritur derisa të mos krijohet një rend i ri botëror. Ne e shohim këtë si presion ndaj presidentit Vuçiq që të refuzojë propozimin evropian. Nuk shohim se ka pasur kjo efekt te Vuçiqi, por vetëm te një pjesë e opozitës në Serbi e cila ka protestuar“, ka thënë ky burim i BE-së./Koha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here