Darwin Nunez kishte përfunduar në merkato, por ardhja e Arne Slot ka ndryshuar planet e drejtuesve të Liverpoolit dhe vetë sulmuesit nga Uruguai.
Trajneri i ri i The Reds e vlerëson shumë 25-vjeçarin, një “bishë” që lufton, sakrifikon e vrapon pafund, por që i mungon cinizmi për të patur një numër më të madh golash.
Gjithsesi, Nunez po përjeton një Kupë Amerike fantastike me Kombëtaren e tij. Uruguai eliminoi Brazilin dhe do të sfidojë Kolumbinë në një gjysmëfinale plot emocione.
15 herë e ka fituar Uruguai kompeticionin më të rëndësishëm të kombëtareve latine, po aq sa Argjentina. Që në gjysmëfinalen tjetër do të përballet me surprizën Kanada.
Emri i Nunez, autor i dy golave deri tani në Kupën e Amerikës, u lidh me Barcelonën, por Slot ka bllokuar largimin e tij.
Tekniku holandez ka patur një takim me lojtarin pas emërimit si pasuesi i Jurgen Klopp në pankinën e Liverpoolit. Duke i bërë të ditur sulmuesit se e cilëson tepër të rëndësishëm.
Madje 45-vjeçari është i bindur se me stilin e ri që do të aplikojë tek ekipi historik anglez do arrijë ta kthejë Nunezin në një goleador të pamëshirshëm.
“Darwin më pëlqen shumë. E kam vënë re që luan në disa pozicione, por unë i kam të qarta idetë në lidhje me pozicionin e tij në fushë. Ia thashë edhe vetë atij se çfarë kam në mendje.
Arrij ta imagjinoj se do të përshtatet për mrekulli me stilin tim të lojës. Jam i bindur, sepse është një sulmues që më pëlqen shumë“, u shpreh Slot./SS