Zgjimi me ndjesinë e lodhjes është pasoja më e menjëhershme e të fjeturit vonë dhe të zgjimit herët, por një studim i ri tregon se pasojat e mungesës së gjumit shkojnë shumë përtej ditës pasuese.
Sipas një studimi të Universitetit të Shëndetit dhe Shkencës në Oregon (OHSU), gjumi i pamjaftueshëm mund të “shkurtojë vite nga jeta”, duke i dhënë një kuptim të zymtë shprehjes së njohur se “do të flesh kur të vdesësh”.
Studiuesit përdorën të dhëna nga një sondazh mbarëkombëtar në SHBA mbi zakonet shëndetësore, i realizuar nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), dhe i krahasuan përgjigjet e pjesëmarrësve me jetëgjatësinë mesatare në zonat ku ata jetonin.
Rezultatet treguan se, përveç pirjes së duhanit, fjetja më pak se shtatë orë në natë ishte faktori më i fortë i lidhur me vdekjen e hershme. Sipas studimit, mungesa e gjumit kishte ndikim më të madh në jetëgjatësi sesa dieta, aktiviteti fizik, statusi socio-ekonomik apo ndjenja e vetmisë.
“ Nuk e prisja që lidhja me jetëgjatësinë të ishte kaq e fortë,” tha autori kryesor i studimit, profesori i asociuar Andrew McHill nga OHSU. “E kemi ditur gjithmonë që gjumi është i rëndësishëm, por ky studim e bën shumë të qartë: njerëzit duhet të synojnë seriozisht të flenë shtatë deri në nëntë orë në natë, sa herë që është e mundur.”

Studimi, i botuar në revistën shkencore SLEEP Advances, është i pari që analizon lidhjen mes gjumit dhe jetëgjatësisë vit pas viti dhe shtet pas shteti në SHBA. Kjo u mundëson studiuesve të identifikojnë zona ku rezultatet devijojnë nga mesatarja dhe të hetojnë më tej shkaqet specifike që mund të ndikojnë në këtë lidhje të fortë
McHill thekson se gjetjet tregojnë qartë se gjumi duhet të trajtohet si prioritet shëndetësor, po aq serioz sa ushqimi apo aktiviteti fizik. “Shpesh mendojmë se gjumin mund ta sakrifikojmë dhe ta kompensojmë më vonë, ose gjatë fundjavës. Por një natë e mirë gjumi jo vetëm që përmirëson mënyrën si ndiheni, por edhe sa gjatë jetoni,” tha ai.
Sa orë gjumë nevojiten në të vërtetë?
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (NHS) rekomandon që të rriturit të flenë 7–9 orë në natë, megjithëse sasia ideale mund të ndryshojë në varësi të moshës dhe faktorëve individualë. Udhëzimet sugjerojnë që foshnjat nën 12 muaj të flenë 12–16 orë, fëmijët e moshës shkollore 9–12 orë, ndërsa personat mbi 65 vjeç rreth 7–8 orë.
Studiuesi i gjumit, Dr. Neil Stanley, ka theksuar se nevojat për gjumë ndryshojnë nga personi në person, njësoj si gjatësia trupore, dhe janë në një masë të madhe të përcaktuara gjenetikisht. Megjithatë, ai paralajmëron se edhe një orë më pak gjumë në natë sesa ajo që i nevojitet trupit mund të ketë pasoja të matshme në shëndetin fizik dhe mendor.
Duke pasur parasysh ndikimin e mundshëm në shëndet dhe jetëgjatësi, ekspertët sugjerojnë që shtatë orë gjumë në natë të konsiderohen minimumi i nevojshëm. Nëse kjo nuk është e mundur, sinjali më i qartë se po flini pak është lodhja e vazhdueshme gjatë ditës — një tregues se trupi nuk po merr pushimin që i nevojitet./Express














































