Rinumërimi i deritanishëm i votave me shumë mundësi do ta lë jashtë Kuvendit ministrin në detyrë të Zhvillimit Rajonal dhe kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damkën.
Sipas shifrave aktuale, mandati pritet t’i kalojë Ergul Mazrekut, i cili ka marrë 2.511 vota, 15 më shumë pas rinumërimit.
Ndërkohë, Damkës i janë hequr 68 vota që më parë i ishin përshkruar gabimisht, duke e lënë totalin e tij aktual në 2.449 vota pas rinumërimit të 470 nga 914 vendvotime.
Procesi i rinumërimit ka zbardhur manipulime të evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit, me devijimin më të madh të votave në Prizren.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve që KQZ ka vendosur të rinumërohen.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri tani procesi i rinumërimit është përmbyllur në 19 komuna, ndërsa gjatë ditës së sotme po vazhdon rinumërimi i vendvotimeve në komunën e Prizrenit. Pas përfundimit të rinumërimit në Prizren, do të përfshihen edhe komunat e tjera, sipas radhës. /Telegrafi/
















































