RENEA, grup i forcave speciale nga Shqipëria, është bërë pjesë e garës ‘UAE Swat Challenge’ që po zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, konkretisht në Dubai.
Gjashtë efektivë të RENEA-s u bënë pjesë e kësaj gare duke treguar aftësitë e tyre. Këtë të mërkurë ata kanë realizuar garën e pengesave, që ishte pjesë e “Ditës së pestë’ të garave.
Teksa po merr pjesë në këtë garë ndërkombëtare, reparti elitë i policisë shqiptare ka lëshuar këngën e Medës kushtuar komandantit legjendar, Adem Jashari.
RENEA ishte ekipi i 42-të me radhë në ditën e stome për të treguar kualitet e tyre, ndërsa dy njësite të Serbisë (SAJ dhe Kobra) garuan fare pak minuta pas tyre.
Në këtë organizim marrin pjesë gjithsej 73 forca speciale nga e gjithë bota.
Forcat RENEA u testuan në pesë kategori të ndryshme: Gara Taktike, Kursi i pengesave, Shpëtimi i Oficerëve, Sfida e Kullës dhe Gara e Sulmit.
Në këtë garë do të ndahen edhe çmime për forcat speciale që marrin më shumë pikë nga këto gara. Çmimi i parë përfiton 80 mijë USD, i dyti 40 mijë USD dhe i treti 30 mijë USD. /Telegrafi/