Me humbjen e një mandati parlamentar, Lista Serbe mund të mos jetë pjesë e Qeverisë

0
130

Qeveria e ardhshme e Kosovës mund të formohet pa Listën Serbe, nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i konfirmon rezultatet aktuale të zgjedhjeve të 9 shkurtit, sipas të cilave, një nga dhjetë vendet parlamentare – të rezervuara për komunitetin serb – i ka shkuar Partisë së Nenad Rashiqit për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Kështu tha Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Kjo do të ishte hera e parë që Lista Serbe nuk do të ishte pjesë e Qeverisë së Kosovës që nga themelimi i saj në vitin 2013, pasi që, deri më tash, ajo i ka fituar të dhjetë vendet parlamentare, të rezervuara për komunitetin serb.

Me Kushtetutën e Kosovës, një pozitë ministrore në Qeverinë e Kosovës i është rezervuar komunitetit serb, ndërsa një tjetër komuniteteve tjera minoritare joserbe.

E, nëse Qeveria e Kosovës përbëhet nga më shumë se dymbëdhjetë ministri, atëherë emërohet edhe një ministër tjetër nga radhët e komuniteteve joshumicë.

Përzgjedhja e këtyre ministrave bëhet në konsultim me partitë parlamentare dhe nëse dikush emërohet prej partive që nuk kanë hyrë në Kuvend, atëherë është i nevojshëm miratimi zyrtar nga shumica e deputetëve të komunitetit, nga i cili është emëruar ministri.

Bazuar në këtë nen të Kushtetutës, Cakolli thotë se një qeveri pa Listën Serbe – nëse konfirmohen rezultatet e tanishme preliminare – sigurisht që do të ishte legjitime në aspektin juridik, por se konsultime do të duhej të bëheshin me të gjitha partitë parlamentare, përfshirë Listën Serbe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here