Me gaz për më pak ndotje! Paralajmërohet investim prej 1 miliardë euro

0
27

Një termocentral me gaz mund do të ndërtohet në Maqedoni. Investimi prej 1 miliardë euro është paralajmëruar nga kryeministri Hristijan Miçkoski. Sipas tij, e vetmja mënyrë për të reduktuar menjëherë ndotjen e ajrit – është që në ato mjedise ku përdoren dru ose mjete të tjera ngrohjeje, kryesisht mbetje druri dhe shpesh goma, ata përdorues nuk kanë faj, por gjendja e tyre sociale është e tillë që ata detyrohen, të zëvendësohet nga një energji tjetër e pranueshme për ta, që është ngrohja qendrore. “Si do ta arrijmë ngrohjen qendrore në mënyrën më të lirë, përmes ndërtimit të impianteve të gazit me kogjenerim që gjatë dimrit – do të prodhojnë njëkohësisht energji elektrike dhe ujë të ngrohtë, i cili do të shpërndahet përmes tubave të ngrohjes në mjediset që sot përdorin energji që fatkeqësisht lëshon grimcat PM2.5 dhe PM10 në ajër dhe kjo është 60% e faktorit që ndikon në ndotjen e ajrit”, tha Mickoski ndërsa paralajmëroi se Qeveria është duke punuar në disa projekte të tilla.

Për të enjten ishte paralajmëruar takim në Qeveri me një investitor potencial që dëshiron të investojë 1 miliard euro në këtë lloj objektesh prodhuese. Për më tepër, ai nuk do të jetë me çmime të privilegjuara, por se gjithçka do të jetë në kushtet e tregut. “Qëllimi im është që shteti të jetë pjesë e paketës, të jetë bashkëpronar në vetë investimin me tokë, me lidhje… sepse vlerësojmë që investitorët privatë që kanë akses në gaz, mund ta sjellin këtu në mënyrë më të thjeshtë dhe më fleksibile se shteti”, tha Mickoski, duke shtuar se nëse gjithçka shkon siç duhet me negociatat, projekti duhet të fillojë të realizohet gjatë vitit të ardhshëm dhe të jetë gati për tre vjet.

Nga ana tjetër, propozim-ligji për projektin investues për stacionin e kogjenerimit “Mytilinios” nuk u votua nga përbërja e kaluar e Parlamentit dhe si duket është lënë në “harresë”. Ndër projektet të qeverisë së kaluar ishin edhe ndërtimi i termocentraleve në Shën Nikollë, Shtip, Pehçevë. Të gjitha ato kishin një sërë përfitimesh që rrallë i gëzon një biznes vendor, andaj edhe kishte kritika të mëdha nga ekspertët.

Projektligji parashikonte që kompania greke “Mytilinios” do të ndërtojë një termocentral kogjenerues të gazit në Shkup, i cili do të kushtojë 290 milionë euro dhe Maqedonia e Veriut do t’i japë ndihmë shtetërore prej 50 milionë euro. “Mytilinios”, sipas ligjit të propozuar, do të përfitonte ndihmë shtetërore prej 50 milionë euro dhe blerje të energjisë elektrike dhe ngrohjes pa prokurim publik. Shlyerja do t’i garantohej me çmime që nuk janë në bursë. Kompania pritej të merrte tokë shtetërore, që shteti duhej ta urbanizonte. Edhe nga investitorët e tjerë, të mbuluar nga këto ligje, shteti duhej të blejë energji elektrike dhe ngrohje pa prokurim publik. Kapaciteti i instaluar për prodhimin e energjisë elektrike i projektit të paralajmëruar ishte nga 130 në 165 Megavat orë dhe energji termike nga 90-105 Megavat orë. Prodhimi vjetor i energjisë elektrike pritej të jetë rreth 1.150 Megavt orë energji elektrike dhe 275 Megavat ore energji termike.

Në sektorin energjetik në vend me vite është aktiv edhe termocentrali kogjenerativ TETO, me 10 për qind pronësi vendor, dhe pjesën tjetër nga Qipro, apo më saktë me pronar afarist rus. Ai në 2022 kishte fitim prej 11 milionë euro dhe qarkullim prej 320 milionë euro dhe shpëtoi sezonin e ngrohjes në Shkup, por edhe sektorin energjetik për furnizimin me rrymë gjatë turbulencave energjetike në vitet e kaluara, duke prodhuar edhe 20 për qind të nevojave të vendit për energji elektrike. TETO ka një kapacitet vjetor prej 220 Megavat orë për prodhimin e energjisë elektrike dhe 160 Megavat orë për prodhimin e energjisë termike. Impianti me gaz është në pronësi të kompanisë qipriote “Bitar Holdings Limited”, e cila nga ana tjetër është në pronësi të prodhuesit rus të energjisë elektrike TGC-2.

Energjia elektrike në Maqedoni kryesisht prodhohet nga qymyri dhe pjesërisht nga gazi natyror, ndërsa vitet e kaluara edhe nga mazuti. Qymyri nuk mihet mjaftueshëm dhe nuk është i një cilësie të kënaqshme, ndaj vendi duhet ta importojë atë, si dhe naftën dhe gazin natyror. Kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike janë lënë pas dore për dekada dhe nuk investohet në kapacitete të reja strategjike me përjashtim të atyre me erë dhe diell, por që kanë problem me magazinimin e energjisë apo ruajtjen e saj në bateri . Pra, këto janë burime energjie që janë të ndryshueshme në natyrën e prodhimit. Fotovoltaikët nuk mund të prodhojnë energji elektrike gjatë natës ose kur nuk ka diell të mjaftueshëm, etj., dhe era ndonjëherë është aty, dhe ndonjëherë mungon. Kjo është arsyeja pse sfida për energjinë është zhvillimi më i shpejtë i baterive që do të jenë në gjendje të ruajnë energjinë e prodhuar nga era dhe dielli kur ka tepricë dhe më pas ta kthejnë atë në rrjet kur ka nevojë. Shpresohet që të kemi bateri të përmirësuara dhe ai problem ngadalë por me siguri pritet të kapërcehet.

Megjithatë, çekuilibri ndërmjet prodhimit nga burimet e rinovueshme dhe konsumit duhet të kompensohet nga ajo që quhet energji bazë, e cila mund të merret nga uji, qymyri dhe gazi. Me fjalë tjera vendi ka nevojë për energji elektrike bazë në periudhat kur nuk ka diell dhe erë. Këtë po ndjejmë pak ditë më parë kur shteti bleu energjinë elektrike me çmimin e bursës dhe shpenzoi disa milionë euro . Gjithashtu, vendi importon një të tretën e energjisë elektrike që konsumon në vit dhe nuk ka as energjense të mjaftueshme për prodhim. Pas agresionit rus kundër Ukrainës, çmimet e energjisë elektrike dhe gazit natyror në Evropë janë rritur në mënyrë dramatike. Objektet më të mëdha prodhuese janë Kombinati i Minierave dhe Energjetikës së Manastirit (REK) dhe termocentralet Osllome dhe Negotinë. (koha.mk)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here