Me çfarë kode komunikonin terroristët në Banjskë, si përfunduan në duart e Policisë së Kosovës disa prej tyre – Pjesa e tretë!

0
64

Ndonëse një dron u kap nga njëri prej serbëve me uniformë të kamufluar ushtarake, vendndodhja e terroristëve në Banjskë, tashmë ishte zbuluar nga autoritetet e sigurisë të Republikës së Kosovës.

Njëri nga pjestarët e grupit terrorist, duke kapur me dorë dronin inçizues

Rreth orës 06:40 të mëngjesit në datën 24.09.2023, pajisjet elektronike të Policisë së Kosovës, arrijnë ta identifikojnë udhëheqësin e bandës serbe, Milan Radoiçiq, njofton Klankosova.tv.

Kreu i këtij akti kriminal, cili vërehej në një moment pa maskë, gjë që edhe e bëri më të lehtë zbulimin e tij.

Milan Radoiçiq pa maskë, 24.09.2023

Koka e grupit serb nuk kishte problem as me gjetjen e armatimit e as me sigurimin e financave. Shpërlarje e madhe parash ishte bërë përmes bashkëpunëtorëve të tij.
Radoiçiq kishte dy burime kryesore të financimit të veprimtarisë kriminale, e para ishte keqpërdorimi i tenderëve të Kosovës, si dhe e dyta nga shteti i Serbisë.

Lidhjet institucionale të ish-nënkryetarit të Listës Serbe me Kosovën dhe Serbinë

Forma e parë e financimit bëhej duke i keqpërdor tenderët e Kosovës që ishin në vlera më të ulëta, ka ndodhur duke marrë kontrata që në aspektin procedural ishin të ligjshme, mirëpo pas marrjes së kontratës, projekti nuk zbatohej apo nuk implementohej fare, shpjegohet në Aktakuzën e Prokurorisë Speciale, transmeton Klankosova.tv.

Kurse forma e dytë apo më kryesore për nga sasia në vlera marramendëse të parave ishte përmes financimit nga Serbia, ku kjo formë funksiononte në emër të ashtuquajturës “Zyra për Kosovë dhe Metohi”. Kjo zyrë shpallte një prokurim publik në kërkim të një kompanie që do të bënte furnizimin e mallrave dhe kryente punimet në emër të saj, pasataj në emër të këtyre shërbimeve i transferoheshin të gjitha paratë e destinuara për projektet e “kryera”. Kjo e kalon shifren e mbi 50 milion eurove.

Milionat e “thithura” të Milan Radojiçiqit

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre parave u investua edhe për aksionin e Banjskës.

Serbët duke u rreshtuar për ta lëshuar bujtinën

Pas arratisjes së shumicës dërrmuese të grupit nga Bujtina ku ishin, Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes gjeti shumë armatim, të kalibrave të ndryshëm.

Armatimi i grupit terrorist, i konfiskuar nga Policia e Kosovës

Pos konfiskimit të gjithë atij arsenali armësh, në duart e organeve të rendit, përfunduan edhe disa prej pjesëmarrësve në këtë sulm terrorist.

Blagoje Spasojeviq, i arrestuar nga Policia e Kosovës

Blagoje Spasojeviq është njëri prej tyre, njofton Klankosova.tv.
Ai ishte pjesmarrës i rreshtuar në grupin e tretë të atyre që zbarkuan në Banjskë.

Dokumenti me emrat e pjesmarrësve serbë në grupin e Banjskës

Nga gjërat e konfiskuara nga Policia e Kosovës, është gjetur edhe një telefon, brenda të cilit ndodhej një fotografi që e shfaqte Spasojeviqin me disa pjesmarrës të tjerë të bandës serbe, duke konsumuar alkool.

Pos tij, në duart e Policisë së Kosovës ra edhe Vladimir Tolic.
I njëjti u arrestuar në vendin e ngjarjes, i armatosur rëndë, i veshur me uniformë të kamufluar ushtarake, derisa ishte i plagosur. Atij iu është dhënë ndihma e parë, kurse më pas është dërguar për trajtim në SHSKUK.

Vladimir Toliq, i arrestuar nga Policia e Kosovës

Toliq kishte arritur në Banjksë me grupin e dytë të serbëve, siç edhe figuron në dokumentin që Prokuroria Speciale e Kosovës e ka futur brenda Aktakuzës, njofton Klankosova.tv.

Sa i përket dokumenteve të gjetura në vendngjarje, janë edhe disa të shtetit të Serbisë. Një prej është edhe dokumenti zyrtar ushtarak i Republikës së Serbisë, i nënshkruar për paketimin e mjetit eksploziv/Minës “MRUD”, me të cilin është vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, shkruhet në Aktakuzën e Prokurorisë.

Nga Raporti i autopsisë, rezulton shkaktimi i pasojës si rezultat i sulmit e që është vdekja e zyrtarit policor Afrim Bunjaku, ku në bazë të këtij raporti, konstatohet shkaku i vdekjes e që vjen si rrjedhojë e gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme në regjionin e majtë të krahërorit, ku kjo gjakderdhje ka ardhur si pasojë e laceracionit apo shqyerjes së lobit të sipërm dhe të poshtëm të mushkërisë së majtë, të shkaktuar nga veprimi dinamik i predhave apo sferave metalike të hedhura nga mjeti eksploziv.


Poashtu në raportin njoftues vërtetohen lëndimet e zyrtarëve të tjerë policor, si Alban Rashiti (i cili është plagosur), pastaj Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi, të cilët kanë qenë të parët së bashku me zyrtarin kolegun e tyre, tani të ndjerë, Afrim Bunjaku, të cilët kanë shkuar në vendin e ngjarjes për t’i larguar kamionët që ishin vendosur si barrikada nga grupi i armatosur.

Ndërkohë në bazë të historikut të strukturave kriminale të cilat kanë operuar në veriun e Kosovës, pjesëmarrësit e këtyre grupacioneve kanë përdorur edhe kode apo fjalë të njohura për grupin, gjë që është vërejtur në komunikimet e mëhershme të njërit nga të arrestuarit, Dusan Maksimoviq, gjatë ekzaminimit të telefonit.

Fjalës “stuba” i janë referuar vendosjes së barrikadave (bllokimit të rrugëve), e ku pikërisht Maksimoviq ka marrë pjesë aktivisht në vendosjen e barrikadave, ndërsa në natën e sulmit të datës 24.09.2023, e kishte rolin e organizimit të personave tjerë që të menjanojnë pengesat dhe krijimin e kushteve për kryerjen e veprave penale për të cilat ngarkohet ky i pandehur dhe pjesëmarrësit e tjerë si në këtë aktakuzë.

Dusan Maksimoviq, pjesë e gurpit të serbëve në Banjskë

Disa nga komunikimet e bëra në platformën SIGNAL dhe VIBER, të nxjerra nga telefoni i Dusan Maksimoviqit, të cilat e inkriminojnë direkt në veprat penale dhe e lidhin me grupin terrorist, janë komunikimi i datës 24.09.2023, ora 2:16:36, ku shkruan “Pisite ovde moramo da se organizujmo”, ndërsa në ora 2:17:04 pranon SMS-in me përmbajtje “Za nedaj boze velikog rokanja mora ldeca i zene da se sklanjahu”, që në shqip thuhet “Shkruani këtu që të organizohemi”, “Mos e dhashtë Zoti, të ketë përshkallëzim të madh, gratë dhe fëmijët duhet të largohen”.

Dusan Maksimoviq, pjesmarrës në sulmet ndaj KFOR-it në veri

Ky komunikim është bërë më datë 24.09.2023 ora 2:16:36, pak minuta para sulmit ndaj Policisë së Kosovës, ku ka mbetur i vrarë Rreshteri Afrim Bunjaku dhe është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti, si dhe janë lënduar Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Komunikim tjetër i të pandehurit Dusan është i të njejtës datë në ora 6:06:59, përmes aplikacionit Viber, ku pranon porosinë me pyetjen “Kad punimo stubove”, ndërsa i pandehuri i përgjigjet “Oko pola 12”, në këtë komunikim flasin për vendosjen e stubave të barrikadave, e që sipas planit të tyre rrugët duhej të bllokoheshin rreth orës 12:30, raporton Klankosova.tv.

Gjithçka e përgaditur që nga muaji janar i vitit 2017 e deri në ditën e sulmit, në të gjitha ngjarjet në veri, lidhen me shumë emra, por njëri prej tyre thuajse në të gjitha, Milan Radoiçiq.

Pasqyra e tërësishme e operimit të të pandehurit Milan Ra dhe përkrahja që i është ofruar, ka krijuar një fuqi të madhe në kontrollimin e pjesës së veriut përmes aktivitetit kriminal, ku këtë ndikim e ka përdorur si instrument për të luftuar rendin juridik kushtetues të Kosovës përmes akteve terroriste dhe për nevojat e tij personale.
Çdo përkrahje institucionale e ofruar nga buxheti i Kosovës për qytetarët e pjesës së veriut, ka përfunduar në duart tij.

Radoiciç kishte arritur të krijonte biznese të cilat shiheshin si të ligjshme dhe fitonte kontrata publike. Ngjashëm, e njëjta skemë ishte zhvilluar në Serbi por me vetëdije dhe me qëllim të luftës kundër rendit juridik kushtetues të Republikës së Kosovës. Për të ngjallur frikën dhe krijuar varësinë e popullatës civile serbe në veriun e Kosovës, Milan Radoiçiqit i duhej edhe përkrahje tjetër ekonomike dhe politike nga zyrtarët serbë, me qëllim të krjimit të varësisë së qytetarëve të nacionalitetit serb dhe menaxhimit të tyre duke përdorur paratë si mjet kushtëzimi, në raste kur paratë nuk kryenin punë atëherë bënin vendosjen e eksplozivëve, përdorimin e dhunës dhe çdo formë tjetër të detyrimit.

Kjo formë e financimit bëhej në mënyrë indirekte duke hapur biznese në emër të pandehurit Radule Steviç, kurse pronar faktik i cili vendoste lidhur me afarizmin e biznesit ishte kreu i grupit terrorist Milan Radoiçiq, pasi krejt në fund, paratë përfundonin tek ai. Bizneset të cilat ishin hapur në emër të pandehurit Radule Steviçit janë “RAD 028”, “RAD DOO” dhe “RADULE STEVIC B.I”.

Radoiçiq dhe plot 44 serbë të tjerë janë duke u kërkuar për arrestim, për të dhënë përgjegjësi për veprimet kriminale ndaj shtetit të Kosovës.

Këta janë të gjithë emrat:
Milan Radoiçiq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dusan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Rados Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Personi juridik “RAD D.O.O, Radule Steviq.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here