Më 5 nëntor mbahet protestë për tërheqjen nga Trusti

0
258

Të shtunën e ardhshme, më 5 nëntor, përmes një marshi paqësor nga Biblioteka Kombëtare e deri tek Qeveria e Kosovës do të kërkohet tërheqja e 30% të Trustit. Iniciator i peticionit të qytetarëve për Trustin, Adnan Jashari ka thënë se meqenëse Qeveria e Kosovës po i ngadalëson proceduat për këtë nismë legjislative, atëherë po organizohet këtë protestë.

Sipas tij tërheqja e kursimeve pensionale është urgjente dhe e domosdoshme në këtë kohë kur qytetarët po ballafaqohen me rritje enorme të çmimeve.

“Ka kaluar afati ligjor dhe Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë mendim rreth nismës legjislative të qytetarëve për projektligjin e tërheqjes së kursimeve të Trustit deri në 30%. Andaj ne si grup dhe iniciativë në grup që ka rreth 28 e 700 anëtarë kemi menduar që t’i ndryshojmë format pasi që Qeveria po i ngadalëson hapat e saj drejt miratimit të projektligjit dhe kemi menduar që javën e ardhshme të mbahet një protestë e qetë, paqësore, t’i tregojmë Qeverisë dhe Kuvendit që kërkesa e qytetarëve është e sinqertë, urgjente dhe e domosdoshme në këtë kohë kur qytetarët po përballen me një krizë enorme të ngritjes së çmimeve”, ka deklaruar ai, raporton KP.

Bashkëorganizatori i protestës, Visar Dili, u shpreh se protesta do të nisë përmes një marshi nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë deri tek objekti i Qeverisë së Kosovës. Sipas tij qytetarët po marrin kredi për të kaluar dimrin, prandaj i bëri thirrje ekzekutivit por edhe opozitës ta mbështesin këtë iniciativë.

Në fund të shtatorit, Kryesia e Kuvendit dërgoi në Qeveri për mendim projektligjin për plotësim/ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, që mundëson tërheqjen deri në 30 për qind nga Trusti, bazuar në peticionin e nënshkruar nga mbi 20 mijë qytetarë. Kuvendi në qershor i pati thënë jo tërheqjes nga Trusti. Menjëherë pati nisur një peticion. Më 15 korrik peticioni me 21 mijë nënshkrime u dorëzua në Kuvend. Qeveria atë kohë pati dalë kundër idesë për tërheqjen nga Trusti./KP

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here