Inspektorët e Komunës së Mitrovicës së Veriut, të asistuar nga Policia e Kosovës, kanë rikthyer në pronësi të komunës një ndërtesë në qytet, e cila ishte shfrytëzuar nga strukturat paralele të Serbisë.
Bëhet fjalë për institucionin e njohur si “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, që ka funksionuar me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Lajmin e konfirmoi për Sinjalin, zv/drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili tha se gjatë hyrjes në ndërtesë janë gjetur prova të kundërligjshme që janë marrë në mbajtje nga prokuroria për hetim të mëtejshëm. Nuk ka persona të arrestuar në këtë rast.
“Sot kemi asistuar inspektorët komunal në hyrje të ndërtesës që ata e konsiderojnë të tyre. Kur kemi hyrë në të, kemi hasur në prova që ne konsiderojmë që janë të kundërligjshme dhe përbëjnë vepër penale. Pas kontaktimit me prokurorin kujdestar, ndërtesa është mbyllur dhe ka mbetur që provat t’i dorëzohen prokurorit në mënyrë që të vendoset se si të lëvizet tutje. Nuk ka persona të arrestuar”, ka theksuar Elshani.

