Janë bërë më shumë se gjashtë muaj kur në varrezat e Prizrenit është ndalë furnizimi me ujë.
Nënkryetari i “Eko Lëvizjes së Gjelbër” në Kosovës, Blerim Saramati, e ka quajtur këtë situatë të papranueshme dhe shqetësuese, duke kërkuar njëherit që ky problem të sanohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Në cilësinë time si Nënkryetar i Eko Levizjes së Gjelbër të Kosovës, dëshiroj të njoftoj opinionin publik për një çështje kritike lidhur me mungesën e furnizimit me ujë në varrezat e Prizrenit për një periudhë mbi 6 muaj.
Konsiderojmë këtë situatë të papranueshme dhe shqetësuese. Varrezat janë vende që duhet të trajtohen me respekt dhe përkujdesje, dhe furnizimi i rregullt me ujë është një nevojë themelore.
Kërkojmë nga autoritetet dhe institucionet përgjegjëse që të angazhohen dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të zgjidhur këtë problem. Është e domosdoshme të zhvillohet një hetim për të identifikuar shkaqet e mungesës së ujit dhe të zbatohen masa korrigjuese.
Ne dëshirojmë që varrezat të mbeten ambiente të pastërta dhe të rregullta, ku të ndjerët të trajtohen me respektin që ata meritojnë. Për këtë arsye, mobilizimi i qytetarëve dhe bashkëpunimi i përbashkët janë thelbësore.
Eko Levizja e Gjelbër e Kosovës do të vazhdojë të sensibilizojë dhe të nxisë ndërgjegjësimin e publikut lidhur me këtë çështje. Nëpërmjet bashkëpunimit dhe angazhimit tonë të përbashkët, synojmë të arrijmë rezultate pozitive dhe të sigurojmë që varrezat e Prizrenit të trajtohen me përkujdesje dhe respekt.
Nënkryetari i Eko Levizjes së Gjelbër të Kosovës,Blerim Saramati
12.05.2023