Kylian Mbappe beson se Franca ka skuadrën më të talentuar në histori, por ende nuk është aq e fortë sa kampionët e botës të vitit 2018.
Zinedine Zidane është një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe ka gëzuar sukses të jashtëzakonshëm edhe si trajner i Real Madridit.
Ai e fitoi Ligën e Kampionëve një herë si lojtar i Realit dhe tri herë radhazi si trajner, por ka treguar pak dëshirë për të drejtuar jashtë klubit ku arriti kulmin e tij si futbollist.
53-vjeçari shpesh lidhet me postet më të mëdha drejtuese në futbollin botëror dhe raportohet se është në listën e kandidatëve për stolin e Fenerbahçes, të lënë bosh pas largimit të Jose Mourinhos.
Megjithatë, dëshira e Zidane për t’u qëndruar larg vëmendjes ka ngritur dyshime mbi gatishmërinë e tij për të marrë përsipër detyrat më të vështira në futboll, me shumëkënd që beson se i vetmi post që do ta tundonte seriozisht është ai i kombëtares së Francës – ku fitoi Botërorin e vitit 1998 dhe Kampionatin Europian të vitit 2000.
Kapiteni i tij në të dyja sukseset, Didier Deschamps, është trajner i Francës që nga viti 2012. Ai gjithashtu është fitues serial si futbollist dhe si trajner, duke udhëhequr “Les Bleus” drejt finales së dy Botërorëve të fundit, përfshirë triumfin historik në Rusi më 2018 kundër Kroacisë.
Por çdo gjë e bukur ka një fund, dhe pak trajnerë kombëtaresh e kalojnë një dekadë në detyrë – e aq më pak 13 vite si Deschamps.
Qëndrimi i Mbappe për Zidane
Ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe, foli për L’Equipe mbi mundësinë që Zidane të marrë drejtimin e Francës dhe ishte mjaft pozitiv.
“Askush nuk do të thotë jo. Vetëm ai mund të thotë jo,” tha Mbappe.
“Nëse është ai, shumë mirë! Nëse është dikush tjetër, prapë shumë mirë. Por ai është i vetmi në historinë e futbollit francez që ka pothuajse të gjitha të drejtat.”

A është kjo Franca më e mira e të gjitha kohërave?
Mbappe u pyet gjithashtu nëse gjenerata aktuale mund të konsiderohet si skuadra më e talentuar e Francës.
“Skuadra më e talentuar, po. Më e forta, ende jo. Ajo me më shumë potencial, po. Është e pafundme,” u shpreh ai.
“Në çdo pozicion, lojtarët tanë janë titullarë në klubet më të mira të botës. Thjesht duhet ta tregojmë. Por si ekip, ende nuk jemi më të fortë se skuadra që u shpall kampione bote në vitin 2018 apo ajo që luajti finalen në vitin 2022.
“A ka kjo skuadër potencial për të qenë më e mira në histori? 100%. A do të bëhet? Varet nga ne.”
Franca, e cila tashmë e ka të siguruar një vend në “play-off” nga fushata e fundit e Nations League, e nisi kualifikimin për Botërorin me dy fitore.
Mbappe shënoi kundër Ukrainës dhe Islandës gjatë ndeshjeve të Kombëtareve për eliminatore të Botërorit në shtator./Express