Mazreku: Kosova vazhdon të mbetet jashtë ‘Kartonit të Gjelbër’ pasi që nuk është anëtare e OKB-së

0
405

Mosanëtarësimi në OKB, paraqet pengesën kryesore të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrove Evropiane. Rrjedhimisht vendi ynë vazhdon ta ketë të pamundur të jetë pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër. Kështu tha drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku, i cili konsideron se janë plotësuar të gjitha kushtet teknike nga ana e Kosovës.

“Byroja e Kosovës i ka të rezervuara rreth 7 milionë euro edhe pse kjo shumë është më e madhe se ajo që kërkohet nga Këshilli i Byrove, mirëpo duke qenë se nuk jemi pjesë e OKB-së nuk po mundemi të bëjmë zgjidhje për sa i përket Kartonit të Gjelbër”, tha ai për Radio Kosovën.

Mazreku tha se është tentuar përmes një shteti tjetër për të qenë pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër, por nuk ka qenë e mundur për shkak të problemeve politike.

“Ne kemi tentuar përmes një shteti tjetër mirëpo Këshilli i Byrove po thotë ju keni probleme politike”, theksoi ai.

Sipas Mazrekut, Kosova në këtë mënyrë mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk është anëtare e Këshillit të Byrosë Evropiane, edhe pse i ka plotësuar kushtet teknike.

“Duke qenë se Kosova është shtet i ri dhe ka probleme me mosnjohje nga disa shtete përreth po ashtu ka probleme politike të cilat nuk e kanë mundësuar që Kosova të jetë pjesë e OKB-së. Ne jemi angazhuar që gjatë këtyre dy viteve ato që janë teknike t’i plotësojmë”.

Mazreku më tej tha se tashmë janë duke pritur një raport nga Këshilli i Byrove. Ai tha se duhet gjetur ndonjë variant tjetër për të qenë pjesë e këtij Këshilli. Kartoni i Gjelbër është një certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të automjeteve, e cila pranohet nga autoritetet e të 47 vendeve, ku Kartoni i Gjelbër është i vlefshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here