Matic flet për Xhakën e Shaqirin: Nëse e duan Shqipërinë aq shumë, pse nuk luajnë për të?

0
80

Mediumi i madh anglez, “FourFourTwo” ka publikuar një artikull, në të cilin është përfshirë edhe një intervistë me futbollistin serb të Sassuolos, Nemanja Matic.

Mesfushori serb i ka përmendur yjet shqiptare të Zvicrës, Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën.

Ky është artikulli i plotë:

Historia e territoreve të Ballkanit në Europën Lindore është e mbushur me dhunë, lëvizje për pavarësi dhe këndvështrime të kundërta mbi shtetësinë.

Ndërsa Serbia beson se shteti autonom i Kosovës i përket asaj, Shqipëria mbështet të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, për shkak të shumicës së madhe shqiptare kosovare në vend.

Në këtë pjesë të botës, nacionalizmi është veçanërisht i rrënjosur dhe shprehjet e tij shpesh shfaqen edhe në ngjarje sportive.

Serbia dhe Kosova janë të ndaluara të përballen me njëra-tjetrën në garat zyrtare të UEFA-s dhe FIFA-s për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe tensioneve politike, megjithatë Serbia dhe Shqipëria janë përballur katër herë që nga shpërbërja e Jugosllavisë.

Para një ndeshjeje kualifikuese për Euro 2016, 11 vite më parë, që ishte përballja e parë mes dy vendeve që nga viti 1967, mbi stadium fluturoi një dron me një banderolë që paraqiste hartën e “Shqipërisë së Madhe”, e cila përfshin territore si Kosova, shtetësinë e së cilës Serbia e konteston.

Kjo u parapri nga thirrje nxitëse para nisjes së ndeshjes në Beograd. Takimi u ndërpre më pas, pasi banderola u tërhoq nga droni i telekomanduar nga një lojtar i ekipit serb, duke shkaktuar një përleshje në fushë mes lojtarëve të të dyja skuadrave, hyrje të tifozëve në fushë dhe dhunë të mëtejshme.

Ndeshjet pasuese janë zhvilluar me masa të shtuara sigurie për të shmangur skenarë të ngjashëm, por ende ka raste kur tensionet serbo-shqiptare shfaqen, edhe kur dy kombëtaret nuk luajnë kundër njëra-tjetrës.

Në Kupën e Botës 2018, Serbia u mposht 2-1 nga Zvicra, me golat e shënuar nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të dy me prejardhje shqiptare.

Dyshja festoi duke bërë një gjest me duar që përfaqëson shqiponjën, simbol që gjendet në flamurin shqiptar dhe njihet gjerësisht si shenjë e nacionalizmit shqiptar.

Nemanja Matić luajti atë ditë në Kaliningrad dhe nuk pajtohet me sjelljen e dy lojtarëve.

“I respektoj si futbollistë, kam luajtur disa herë kundër tyre në Premierligë. Por me këto gjëra të vogla, ata mbledhin pikë të lira politike,” i tha Matić revistës “FourFourTwo”.

“Ata janë rritur, mendoj, në Zvicër. Duke bërë këtë, nuk po tregoni respekt për vendin për të cilin luani. Nëse e doni kaq shumë Shqipërinë, atëherë pse nuk luani për Shqipërinë? Kjo është pyetja ime.

“Mund t’i pëlqesh disa vende, kjo nuk është problem. Unë e dua Serbinë, është vendi im. Më pëlqen edhe Anglia, kam kaluar shumë kohë atje. Por kurrë nuk do të thosha se më pëlqen Anglia më shumë se Serbia. Duhet të jesh i sinqertë.

“Kam luajtur shumë herë kundër Xhakës dhe kurrë nuk kam pasur problem. Gjithmonë kemi shtrënguar duart, është një lojtar i mirë – ashtu si edhe Shaqiri. Por unë kurrë nuk do të bëja diçka të tillë për të provokuar dikë. I respektoj të gjithë.”

Dy ndeshjet më të fundit mes Serbisë dhe Shqipërisë kanë kaluar kryesisht pa incidente, veçanërisht pasi janë zgjedhur stadiume më të vogla në qytete kryesore për t’i pritur këto takime.

Megjithatë, tensionet mes dy vendeve mbeten të larta, sidomos për çështjen e shtetësisë së Kosovës dhe për ndjenjat e vazhdueshme negative ndaj veprimeve të forcave serbe gjatë konflikteve ballkanike të fundviteve ’90./Gazeta Express/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here