Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut ku mbetën të vrarë 45 civilë nga forcat serbe, ka deklaruar se ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker e foli të vërtetën, të cilën Serbia u përpoq ta deformojë, raporton Gazeta Sinjali.
Pas homazheve në Reçak, Kurti tha se në Serbi vazhdon të dominojë regjimi autoritar dhe prandaj Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i urryer në Serbi.
“Më 15 janar, pati ndodhi ky krim makabër, ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur vetëm katër javë më vonë sepse pasur luftë të madhe për kufoma. I kemi edhe 11 ushtarë që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe ato katër javë tregojnë që Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, ta justifikojë krimin dhe prandaj po e theksoj rëndësinë e të vërtetës nga mendja, sytë, veshët dhe goja e ambsadorit Walker.
Ambasadori Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar dhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar, me ç’rast ish ministri i informatave të asaj kohe sot është president i Serbisë.” – tha Kurti.
Bashkë me Kurtin, homazhe kanë bërë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.