Marrëveshja e Ohrit nuk ndryshon qëndrimin e Spanjës dhe Rumanisë rreth njohjes së Kosovës

0
147

Hera e fundit kur Kosova u njoh si shtet, ka qenë njohja nga Izraeli në kuadër të marrëveshjes së Uashingtonit. E një marrëveshje tjetër, ajo e Ohrit u tha se do t`i hap rrugë njohjes nga pestë shtetet e BE-së. Por, duket se këto shtete nuk e kanë ndryshuar qëndrimin kundër pavarësisë së Kosovës. RTK i ka pyetur Spanjën dhe Rumaninë për qëndrimet e tyre për njohje. Që të dy këto shtete nuk kanë dhënë sinjale se kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre kundër.

Kanë kaluar më shumë se dy vjet prej kur Kosova nuk ka pranuar njohje të reja.

Marrëveshja e Ohrit dhe zbatimi i saj, u tha se u hap rrugë shteteve që s`e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë. Theksi u vu posaçërisht te 5 shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk kanë lëvizur përpara në raport me njohjen e Kosovës.

RTK i ka pyetur Spanjën dhe Rumaninë për qëndrimet e tyre për njohje, pas dakordimit të Kosovës dhe Serbisë në Ohër.

Si shteti spanjoll, ashtu edhe ai rumun, thonë se e përkrahin dialogun dhe marrëveshjen e arritur, por nuk japin sinjale pozitive për njohje.

“Spanja ruan pozicionin e saj si mosnjohëse e deklaratës së njëanshme të pavarësisë, të miratuar nga Prishtina në vitin 2008, dhe mbështet fuqishëm një zgjidhje të pranueshme reciproke përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, shkruan në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Spanjës.

Pak a shumë, përgjigje të ngjashme jep edhe Rumania.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë vlerëson rezultatet e arritura në Ohër më 18 mars ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të cilën e mbështet fuqishëm”, shkruan në përgjigjen zyrtare, Ministria e Punëve të Jashtme të Rumanisë.

Qëndrim të ngjashëm vazhdon të mbajë edhe Greqia. Presidentja e këtij shteti deklaroi në Beograd se nuk mendojnë ta njohin Kosovën.

Kryediplomatja kosovare, 5 vendet mosnjohëse i sheh pengesë në aspiratat integruese të vendit tonë.

“Jemi duke punuar shume, me partneret tanë, që 5 shtetet evropiane të cilat janë një pengese serioze, të lëvizin në procesin e njohjeve. Nuk është që nuk ka progres, janë tema për të

cilat progresi do të shihet në të ardhmen”, thotë Donika Gërvalla- ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, mendon se BE-ja si dorëzane e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të ushtrojë ndikimin te vendet mosnjohëse.

“Barra i bie Bashkimit Evropian sepse në këtë formë, BE-ja do ta tregonte autoritetin dhe fuqinë e vet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse në të kundërtën i bie që 5 vendet e BE-së po bëjnë me shumë politike ruse në Ballkan se vet Serbia”, thotë Dritëro Arifi- njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ndihmë në sjellje të njohjeve të reja ka premtuar edhe aleati kryesor i Kosovës në fushën diplomatike, SHBA-ja. Vetë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë gjatë një raportimi në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, se pas marrëveshjes së Ohrit presin që Sllovakia, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Spanja të ndryshojnë qëndrim në raport me pavarësinë e Kosovës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here