Real Madrid po feston një fitore ndaj Barcelonës në “El Clasico”, por ‘pasoja’ e këtyre festimeve lidhet me dy figura: Vinicius Junior dhe Xabi Alonso.
Trajneri i Real Madridit e zëvendësoi Viniciusin gjatë 20 minutave të fundit të ndeshjes, duke shkaktuar një reagim të zemëruar nga 25-vjeçari, shkruan “Gazeta Express”.
Vinicius, në kulmin e nervozizmit, deklaroi se “më mirë të largohem” nga Real Madridi, ndërsa zemërimi i tij ndaj trajnerit nuk u fsheh aspak – ai bërtiti “Kush? Unë?!” kur pa numrin e tij në tabelën e zëvendësimit. Megjithatë, tensioni mes tyre kishte filluar që gjatë verës.
Trajneri bask e ka lënë Viniciusin në stol tre herë këtë sezon, dhe ai ka përfunduar vetëm tre ndeshje të plota, një rënie e dukshme krahasuar me sezonin e kaluar.
Sipas “Cadena SER”, problemi ka marrë përmasa të mëdha në Valdebebas, dhe “aktualisht nuk ka asnjë marrëdhënie” mes të dyve.
Kjo situatë ka nisur që kur Vinicius mësoi se Alonso kishte planifikuar ta linte jashtë formacionit kundër Paris Saint-Germain në Botërorin e Klubeve, përpara se Trent Alexander-Arnold të pësonte dëmtim.
Sipas “The Athletic”, Vinicius nuk është ndjerë rehat nën drejtimin e Alonsos, dhe kampi i tij beson se këto janë vendime të trajnerit, pa ndonjë ndikim nga klubi.
Thuhet se Alonso, që në fillimet e mandatit të tij, është irrituar nga disa sjellje të Viniciusit dhe nuk është impresionuar me të.
Raportimet tregojnë se Vinicius po e mendon seriozisht largimin nga “Los Blancos”, duke ndjerë se marrëdhënia e tij me Alonson është e papërmirësueshme.
“Cadena SER” shton se Vinicius madje i kishte kërkuar agjentit të tij të gjente një mënyrë për t’u larguar nga klubi në javën e fundit të merkatos së verës së kaluar.
Vinicius ka edhe rreth 18 muaj kontratë me Real Madridin, dhe nëse dyshja nuk gjen një zgjidhje, ose nëse Alonso nuk shkarkohet verën e ardhshme, atëherë duket e pamundur që ai të mbetet në “Santiago Bernabeu”.
Me Rodrygo Goes dhe Kylian Mbappé tashmë në skuadër, “Los Blancos” mund të arrijnë në përfundimin se do të ishte logjike ta shesin Viniciusin verën e ardhshme, për të shmangur humbjen e tij me parametra zero./Express













































