Mark Rutte merr në dorë kryesimin e NATO-s

0
79

Shefit të ardhshëm të NATO-s, Mark Rutte, do t’i nevojiten të gjitha aftësitë për të mbajtur të bashkuar aleancën perëndimore mes luftës në Ukrainë, frikës për lëvizjen e ardhshme të Moskës dhe pasigurisë politike në Washington.

Rutte merr detyrën të martën si sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut nga Jens Stoltenberg i Norvegjisë, hera e parë në një dekadë që posti kryesor i NATO-s do të ketë ndryshime.

Tani shumë varet nga aftësia e Ruttes për të krijuar konsensus brenda aleancës prej 32 anëtarësh. Aftësia e organizatës për të mbrojtur afro 1 miliard njerëzve që janë nën kufijtë e saj, varet jo vetëm nga fuqia ushtarake, por edhe nga uniteti politik.

Sfidat janë të shumta për Rutten: një rikthim i mundshëm i Donald Trumpit si president i SHBA-së, i cili njihet si skeptik për NATO-n, fuqia mbizotëruese e aleancës dhe thirrjet nga aleatët e Evropës Lindore për më shumë përforcime për t’u mbrojtur kundër Rusisë, dhe lutjet nga Ukraina joanëtare për më shumë ndihmë ushtarake.

Zyrtarët dhe diplomatët e NATO-s presin që Rutte t’i ruajë prioritetet e Stoltenbergut, të nxisë sa më shumë mbështetje për Kievin, duke i shtyrë vendet e NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen dhe mbajtjen e SHBA-së të angazhuar në sigurinë evropiane.

Pasi ka qeverisur për 14 vjet, duke u bërë kryeministri më jetëgjatë i Holandës, Rutte, 57 vjeç, është një person me përvojë në skenën botërore.

Por edhe pse personalisht i dashur, ai ka qenë ndonjëherë një kritik i hapur i qeverive të tjera, duke i kërkuar Hungarisë t’i respektojë të drejtat e komunitetit LGBTQ ose të largohet nga Bashkimi Evropian, dhe duke vënë në pikëpyetje sundimin e ligjit në Rumani dhe në Bullgari.

Në punën e tij të re, Rutte do të ketë nevojë për aftësitë që ai zhvilloi si një menaxher që udhëhoqi katër qeveri holandeze.

“Fakti që ai ka kaq përvojë në gjetjen e mënyrave për të ecur përpara, kompromiseve, bindjen e njerëzve, lidhjen me njerëzit, mendoj se do të jetë shumë, shumë e dobishme”, ka thënë Kajsa Ollongren, një ish-ministre holandeze e Mbrojtjes që shërbeu gjatë udhëheqjes së Ruttes.

Në punën e tij të re, Rutte do të jetë nën presionin e anëtarëve të NATO-s në Evropën Lindore për të dëshmuar se e kupton dëshirën e tyre për më shumë mbrojtje nga Rusia dhe mund të japë rezultate për ta.

Që nga nisja e pushtimit rus në Ukrainë, NATO-ja ka dyfishuar në rreth 10,000 trupat e dislokuara në anëtarët e saj lindorë. Ajo gjithashtu thotë se qindra mijëra të tjerë mund të vendosen shpejt.
Por vendet lindore duan më shumë trupa dhe armë, veçanërisht sisteme të mbrojtjes ajrore, që do të thotë të bindin anëtarët perëndimorë të lëvizin më shumë nga asetet e tyre në lindje.

Ndërsa NATO merr vendime me konsensus, fuqia e një sekretari të përgjithshëm varet nga krijimi i ideve të politikave dhe bindja e liderëve kombëtarë për t’i mbështetur ato.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here