Mario Balotelli është rikthyer sërish në vëmendjen e futbollit ndërkombëtar, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e tij. Sipas Sky Sport Italia, sulmuesi italian ka nënshkruar kontratë me klubin saudit Al-Ettifaq, që garon në Saudi Pro League.
35-vjeçari kishte mbetur pa skuadër që nga përfundimi i kontratës me Genoa në qershor 2025, periudhë gjatë së cilës u stërvit individualisht me trajner personal, pas përplasjes me trajnerin Patrick Vieira. Edhe pse emri i tij ishte përmendur për disa klube në Serie A dhe Serie B, asnjë marrëveshje nuk u konkretizua.
Sipas ekspertit të transferimeve Gianluca Di Marzio, Balotelli ka firmosur një kontratë që do ta mbajë te Al-Ettifaq deri në qershor të vitit 2028. Në klubin saudit, ai do të ndajë dhomën e zhveshjes me futbollistë të njohur si Georginio Wijnaldum, Jack Hendry, Moussa Dembélé dhe Ondrej Duda.
Kjo lëvizje shënon një tjetër etapë në karrierën e pasur të Balotellit, i cili ka veshur fanellat e klubeve të mëdha si Inter, Manchester City, Milan, Liverpool, Nice dhe Marseille, duke luajtur në disa prej kampionateve më të forta evropiane.
Arabia Saudite bëhet kështu destinacioni i radhës për “Super Marion”, i cili synon të rilindë sërish dhe të lërë gjurmë në një kampionat që po tërheq gjithnjë e më shumë yje të futbollit botëror./04 Online












































