Maqedonci: Pagat e ushtarëve janë rreth 600 euro, të rekrutëve 350 euro

0
89

Ministri i Mbrotjes, Ejup Maqedonci, i ftuar në një emision televiziv ka folur për sulmin e Banjskës, kërcënimet e Serbisë, e po ashtu për pagat e pjesëtarëve të FSK-së, shkruan Gazeta Sinjali.

Maqedonci tha se paga e rekrutëve tashmë do të jetë 350 euro, për shkak të rritjes së pagës minimale, ndërkaq ato të ushtarëve janë rreth 600 euro.

“Paga e rekrutit ka qenë e ndërlidhur me pagën minimale dhe çka është për t’u theksuar se rekrutët nuk qëndrojnë më shumë se 8 javë në ato pozita, kur kanë ndjekur trajnimin. Pas trajnimit, ata marrin gradën e ushtarit dhe paga e tyre është afër 600 euro. Me rritjen e pagës minimale rekrutët do të marrin 350 euro”, u shpreh ai.

Derisa u prononcua për këto tema, Maqedonci tha se në disa vende të Evropës nuk ka qenë në praktikë fare pagesa për rekrutët.

Tutje, ai foli edhe për pajisjen e ushtarëve me uniforma e çizme.

Sipas Maqedoncit pjesëtarët e FSK-së tashmë janë pajisur me uniforma dhe së shpejti do të pajisen edhe me çizme.

“Pjesëtarët e FSK-së janë të furnizuar me uniforma, do të furnizohen së shpejti edhe me çizme. Uniformat që janë blerë disa ditë më parë janë  të standardit. Pjesëtarët mund të kenë pasur uniforma edhe nga e kaluara që i kanë përdorur dhe që mund të jenë shlyer kur kanë pasur aktivitete. Tani ka sasi të mjaftueshme të uniformës në depot e FSK-së”, tha ministri i Mbrotjes.

E siç kishte deklaruar edhe më herët, ministri Maqedonci theksoi se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë kishte për qëllim aneksimin e Kosovës.

“Përmbajtja e aktakuzës mundëson ndjekje të këtij grupi terrorist që kishin synim aneksimin e pjesës veriore të vendit tonë. Nuk ishte thjeshtë një sulm terrorist, një veprim që synonte të aneksonte pjesën veriore të vendit tonë dhe kjo është parë edhe nga faktet e prezantuara nga Policia e Kosovës qysh në ditët e para pas sulmit”, potencoi ai në Tëvë 1.

Mes tjerash, Maqedonci tha se institucionet e Kosovës marrin seriozisht çdo kërcënim, por nuk frikësohen nga ato.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here