Të rinjtë shqiptarë kanë filluar të përdorin steroidet, për të fituar masë muskulare më shpejt, ndërkohë që ndjekin palestrën. Përdorimi i steroideve është kthyer në shqetësim në të gjithë botën dhe tani edhe në Shqipëri.
Kreshnik Brekofca menaxher i nje kompanie dhe distributor i autorizuar i suplementeve në Shqipëri thotë për Gazetasi.al se përdorimi i shtesave ushqimore ishte diçka jashtë perceptimeve më parë ose përdorimi i tyre ishte vetëm nga meshkujt, e ndërsa sot numri i individëve në përgjithësi apo i vajzave në veçanti të cilat përdorin suplemente është rritur ndjeshëm duke tejkaluar kufinjtë e “Tabusë”.
“Proteinat janë baza kryesore ndërtimore e qelizës. Proteinat apo Shtesat ushqimore në formë pluhuri janë kryesisht të prodhuara nga hirra e qumështit dhe në përbërje gati të ngjashme me qumështin e gjirit të nënës” thotë Brekofca i cili shton se këto suplemente gjithsesi duhet të përdoren sipas udhëzimeve apo informacioneve paralajmëruese të mjekëve, nutricionistëve apo specialistëve të fushës.
Brekofca thotë se problemi që është hasur shumë janë të rinjtë shqiptarë që shpesh ngatërrojnë steroidet ose hormonet artificiale me proteinat.
Ndryshimi i tyre është shume esencial. Është ndryshe ta suplementosh organizmin me proteina dhe vitamina dhe ndryshe artificialisht me hormone.
Hormonet artificiale sjellin një mori problemesh në organizëm.
Mjeku Ardian Harxhi thotë për Gazetasi.al se steroidet janë aq të dëmshme sa impotenca mund të jetë problemi më i vogël që shkaktojnë.
“Jam plotësisht kundra përdorimit të steroideve. Çojnë deri në probleme kritike për jetën”, thotë Harxhi i cili shton se problem mbetet fakti se janë vetë trajnerët personalë që i rekomandojnë, duke parë edhe që në palestra reklamohen dhe tregtohen. Janë vetë palestrat që në ambientet e tyre mbajnë dhe tregtojnë produkte të tilla të ndaluara duke i kthyer në produkte që nevojiten për të pasur rezultat nga aktiviteti fizik.
Disa nga problemet që shkakton përdorimi i tyre është edhe tullacëria dhe varësia, sipas HNS.
Por pavarësisht paralajmërimeve, në Britani vlerësohet se rreth 1 milion të rinj përdorin steroide.
Një studim nga “National Institut of drug abuse”, tregoi se përdorimi i gjatë i steroideve shkakton edhe vdekje të hershme.
Sipas Brekofcës, problem tjetër mbetet fakti se po shtohen shumë të rinjtë, kryesisht djemtë të moshës 17-18 vjeç që i kërkojnë më së shumti, për të shtuar masën muskulare. Është edhe mosha kur fillojnë palestrën dhe duan të bëjnë trup më shpejt”, thotë Brekofca që tregon se klientët janë të drejtuar apo nxitur kryesisht nga trajnerët e palestrave.
Brekofca thotë se ndonjëherë është shumë e vështirë të bindësh të rinjtë, sidomos personat që sapo kanë filluar palestrën se hormonet artificiale janë të dëmshme apo të ndaluara për përdorim. Ata thjeshtë shkojnë dhe i kërkojnë diku tjetër për të përmbushur qëllimin e tyre “pasi u themi se ne nuk tregtojmë të tilla”.
Ndërsa proteinat i kërkojnë më së shumti të drejtuar nga rrjetet sociale apo nga sugjerimeve të shokëve të tyre që i kanë përdorur dhe kanë pasur rezultat.