Mandl: Qeveria e re e Kosovës të ketë prioritet dialogun, palët të vendosin diçka në tryezë

0
88

Eurodeputeti austriak Lukas Mandl tha se Komisioni i ri Europian do të jetë më i mirë në menaxhimin e dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa për shefen e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, Mandl thotë se e merr shumë seriozisht këtë çështje.

Por, Mandl thotë se edhe palët, Kosova e Serbia, duhet të kenë një ritëm më të shpejtë në dialog dhe se është e rëndësishme në një proces të tillë dialogu që të vendoset diçka në tryezë nga secila palë.

“Pra, nëse vë diçka në tryezë, do të kesh mundësinë të kesh një fjalë në agjendë për atë që po flitet. Pra, është e rëndësishme jo vetëm të presësh se çfarë do të vënë në tryezë përfaqësuesit e BE-së, nëse ka diçka fare. Nuk është vetëm e rëndësishme të presësh se çfarë do të mund të vënë në tryezë pala tjetër përkatëse, por është e rëndësishme të vësh diçka vetë në tryezë”, ka thënë Mandl për Kosova Press.

Ndërsa, për Qeverinë e re të Kosovës, ai thotë se kjo duhet të jetë prioritet i saj.  

“Kjo duhet të trajtohet si një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme, të parlamentit të ri në Republikën e Kosovës, që të ketë një agjendë të qartë, të qartë se si të zgjidhen problemet, se si të adresohen çështjet e hapura të pazgjidhura. Kjo do të ishte qasja që mund t’ua rekomandoj të gjithëve në Kosovë, pa marrë parasysh nëse janë në opozitë, në pozitë, pa marrë parasysh kush do të krijojë një qeveri të re”.

Pas organizimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Mandl pret nga institucionet vendore që të ndërmerren reforma në Kosovë.

“Mund të them vetëm se çdo qeveri do të duhet të ndërtojë ura kudo në botë dhe do të duhet të ndërmarrë reforma brenda vendit për të mirën e përbashkët, për të mirën e popullit. Gjithashtu, mendoj se në çdo parti politike në Kosovë ka njerëz të besueshëm dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka deputetë të sapo-zgjedhur që janë të besueshëm dhe të aftë dhe ata do të gjejnë zgjidhje të shkëlqyera për të ardhmen. Ky është besimi im në këtë shtet të ri të Europës dhe në popullin e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike”, shton ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here