Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, që ditë më parë ka qëndruar në Kosovë, e ka vlerësuar lart organizimin e zgjedhjeve në Kosovë. Ai e ka shtruar nevojën për formimin e shpejtë të qeverisë së re, teksa ka kërkuar bashkëpunim mes partive politike për të ardhmen e Kosovës. Krahas zgjedhjeve, Mandl ka folur edhe për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi si dhe për nevojën e forcimit të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara
Deputeti i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, ka shprehur optimizmin se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë do të shënojë hapa përpara me udhëheqësit e rinj të Bashkimit Evropian.
Në një intervistë për KosovaPressin, ai këtë optimizëm e ka ndërlidhur me faktin se lidershipi i ri i BE-së, krahasuar me më herët, është nga shtetet që e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Përveç kësaj, ata janë njerëz po ashtu nga vende të vogla apo të mesme, të cilët e dinë fare mirë se si është të ecet përpara si një vend i vogël apo i mesëm. Dhe mendoj se edhe për shkak të komisionares së re për zgjerim, përfaqësueses së re për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, kjo do të jetë një periudhë më e mirë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Andaj jam optimist”, ka thënë eurodeputeti Mandl.
Shefja e diplomacisë e BE-së, Kaja Kallas, e cila është nga Estonia, ka paralajmëruar ditë më parë se së bashku me emisarin e ri evropian, danezin Peter Sorensen, do t’i shqyrtojë mundësitë për ta bërë funksional dialogun Kosovë-Serbi.
E tek ka folur për raportet e Kosovës me aleatë perëndimorë, eurodeputeti Mandl ka shprehur nevojën e forcimit të lidhjeve me BE-në dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Mendoj se është e rëndësishme për çdo vend, veçanërisht për vendet e vogla ose të mesme, si vendi im, Austria, të forcojnë lidhjet me organizatat ndërkombëtare dhe me partnerët në mbarë botën, me BE-në dhe në rastin e Kosovës, me SHBA-në. Forcimi i këtyre lidhjeve do të jetë një detyrim për çdo përfaqësues në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Mandl.
Ai ka përmendur edhe kërcënimet ndaj sigurisë që janë në rritje në të gjithë botën e prej të cilave ka thënë të mos jetë imune as Kosova. Për këtë, ai ka theksuar se duhet të shmangur çdo provokim që çon në përkeqësim të gjendjes së sigurisë.
“Të gjithë jetojmë në kohë të vështira kur bëhet fjalë për sigurinë. Kudo në botë kërcënimet ndaj sigurisë janë në rritje, kërcënime hibride, fizike, terroriste, si dhe kërcënime lufte të llojeve të ndryshme. Pra, duhet të shmangim çdo gjë që mund të jetë provokim dhe duhet të sanksionojmë çdo lloj sulmi ose edhe përpjekje sulmi apo kërcënimi që vjen nga grupet terroriste, të cilat kanë qenë të pranishme në Kosovë gjatë viteve të fundit dhe madje edhe në muajin e kaluar”, ka thënë eurodeputeti Mandl.
Zyrtarë të KFOR-it, në disa raste e kanë përmendur Kosovën si një prej pikave të nxehta të një konflikti të mundshëm në rajon. Alarmi u dha veçmas pas 23 shtatorit të vitit 2023, kur Kosova u ballafaqua me aktin terrorist në Banjskë të Zveçanit, nga një grup paramilitar serb. Sipas Prokurorisë, këtij grupi që udhëhiqej nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, mbështetje logjistike i ka dhënë shteti serb.
E më 29 nëntor të vitit të kaluar, u sulmua me eksploziv kanali i Ibër-Lepencit, që përbën infrastrukturë kritike.