Manchester United nuk arriti më shumë se një barazim 2:2 përballë Lyonit në sfidën e parë çerekfinale të UEFA Europa League, të zhvilluar mbrëmë. Edhe pse “Djajtë e Kuq” ishin afër fitores, një gabim në fund nga portieri Andre Onana i kushtoi skuadrës fitoren, duke lejuar golin e barazimit në sekondat e fundit të ndeshjes, shkruan 04 Online.
Pas përfundimit të takimit, trajneri Ruben Amorim doli në konferencë për shtyp dhe u shpreh i vendosur për të mbrojtur portierin e tij nga kritikat, duke marrë përgjegjësinë mbi vete.
“Nëse e shikoni sezonin, unë kam bërë më shumë gabime se lojtarët. Kjo ndodh. Mund të ndodhë nëse luani futboll dhe shumë ndeshje të bëni gabime” deklaroi trajneri portugez, duke treguar solidaritet dhe besim ndaj skuadrës së tij.
Me këtë barazim, gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet javën e ardhshme në mitikun “Old Trafford”. Manchester United do të kërkojë një paraqitje më të sigurt në shtëpi për të prerë biletën për gjysmëfinale, ndërsa Lyon do të synojë ta shfrytëzojë çdo dobësi të kundërshtarit për ta befasuar në tokën angleze./04 Online