Manchester United ka zbuluar shumën që mund të përfundojë duke paguar për shkarkimin e trajnerit Ruben Amorim muajin e kaluar.
United e liroi Amorim nga detyra një ditë pas barazimit 1-1 me Leeds United në stadiumin ‘Elland Road’. Portugezi kishte kritikuar drejtuesit e klubit dhe mënyrën e menaxhimit, ndërsa u shkarkua pas ndeshjes së tij të 63-të në krye të skuadrës.
Michael Carrick u emërua si zëvendësues i përkohshëm deri në fund të sezonit dhe ka arritur ta ngjisë United në vendin e katërt në tabelë pas gjashtë ndeshjesh, tre pikë prapa Aston Villa në vendin e tretë.
Pas humbjes në finalen e Ligës së Evropës ndaj Tottenhamit, Amorim kishte deklaruar se do të largohej “të nesërmen pa asnjë bisedë për kompensim” nëse bordi dhe tifozët nuk do ta mbështesnin më.
Megjithatë, pas shkarkimit pas 14 muajsh, u raportua se Amorim kishte të drejtë për një dëmshpërblim të konsiderueshëm, pasi i kishin mbetur rreth 18 muaj nga kontrata e tij prej 6.5 milionë eurosh në vit.

Në një njoftim drejtuar Bursës së New Yorkut, United konfirmoi se vendimi për shkarkimin e Amorim mund t’i kushtojë klubit afro 16 milionë euro.
Sipas gazetarit të BBC, Simon Stone, klubi bëri të ditur se një shumë prej 6.3 milionë eurosh, e lidhur me sigurimin e shërbimeve të Amorim nga Sporting Lisbona është fshirë nga bilanci, ndërsa është regjistruar një kosto e përkohshme prej 15.9 milionë eurosh për të përfaqësuar “shumën maksimale të mundshme të pagesave të ardhshme”.
United kishte paguar rreth 11 milionë euro për të prishur kontratën e Amorim me Sportingun dhe për ta sjellë atë si zëvendësues të Erik Ten Hag, shkarkimi i të cilit besohet se i kushtoi klubit rreth 10.4 milionë euro.
Si rrjedhojë, emërimi dhe më pas shkarkimi i Amorim pas pak më shumë se një viti mund të arrijë një kosto totale prej 37 milionë euro, duke u bërë potencialisht pagesa më e madhe e kompensimit në historinë e klubit pas një shkarkimi./Telegrafi/














































