Në kuadër të muajit sensibilizues kundër kancerit të gjirit, kryeministri Albin Kurti mori pjesë në një aktivitet ndërgjegjësues, i organizuar nga Ministria e Arsimit.
Në komunikatën e dërguar për media bëhet e ditur se para punonjësve arsimorë në ambientet e Fakultetit Teknik, Kurti tha se sot shëndeti ngërthen jo vetëm aspektin fizik, por edhe atë mendor, emocional, shpirtëror dhe intelektual, prandaj edhe mirëqenia e tërësishme e njeriut i gërsheton të gjitha këto aspekte. Ai fillon me informim e dije dhe vazhdon me trajtim e shërim.
“Në trajtimin e kësaj sëmundjeje, Qeveria jonë ka ofruar mbështetje të pakursyer. Brenda këtij muaji pritet të hyjë në fuqi rregullorja e re për çmimet e shërbimeve shëndetësore, ku mamografia do të ofrohet falas në çdo kohë. Ky vendim do të vijë në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit”, tha kryeministri, duke shtuar se ky është një tregues i përkushtimit tonë si Qeveri për mbrojtjen e shëndetit të popullatës sonë.
Duke përmendur aktivitetet e shumta, që organizohen në kuadër të këtij muaji sensibilizues, kryeministri Kurti tha se mamografi mobil ofron mundësi për të gjithë për t’u kontrolluar. Ai lëviz edhe në pjesën e veriut të Mitrovicës, në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, si dhe në komuna të tjera ku mungon mamografi statik.
“Për herë të parë në shëndetësinë publike ofrohet falas rikonstruktimi i gjirit, një procedurë që në sektorin privat kushton prej 3000 deri në 5000 euro. Numri i grave që e kanë kryer këtë procedurë ka shënuar rritje të konsiderueshme në këto katër vitet e fundit: në vitin 2021 kanë qenë 4 intervenime me proteza nga donacionet, në vitin 2022, 12 intervenime, sërish me proteza nga donacionet, në vitin 2023, 51 intervenime mbështetur nga Qeveria, ndërkaq, deri tash që po flasim, në vitin 2024, 63 intervenime mbështetur nga Qeveria.” tha kryeministri.
Që fushatat ndërgjegjësuese kanë pasur sukses të madh, Kurti përmendi faktin që në tri vitet e fundit, ka pasur rritje të ndjeshme të zbulimit të hershëm të këtij lloji të kancerit, ku aktualisht 52% e grave diagnostikohen në stad të hershëm.
“Mirëqenia e gjithmbarshme e qytetareve dhe qytetarëve tanë është objektivi ynë për të cilën punojmë pa u ndalur, fort e drejt. Ne, si Qeveri, na keni përherë në krah dhe pranë jush, në çdo kohë dhe formë të mundshme.” përfundoi fjalën e tij kryeministri.