Ky është një problem shumë i zakonshëm, por për fat të mirë, zgjidhet lehtësisht
Flokët ju janë çelur, por jo në atë mënyrën magjepsëse të verës? Nëse keni vënë re që pas notit në pishinë flokët tuaj marrin një ton të gjelbër, nuk jeni të vetmit.
Ky fenomen është i zakonshëm te flokët e çelët dhe shkaktohet nga reaksioni i metaleve në ujë, më së shpeshti bakri, me kimikatet për dezinfektim. Lajmi i mirë është se ka trajtime shtëpiake që ndihmojnë në largimin e këtij pigmenti të padëshiruar, pa pasur nevojë për ndërhyrje drastike apo prerje.
Si ndodh që flokët bëhen të gjelbër?
Nuanca e gjelbër nuk vjen drejtpërdrejt nga klori, por nga bakri i oksiduar që ndodhet në ujë dhe që, nën veprimin e klorit, lidhet më lehtë me sipërfaqen e fijeve të flokut.
Kur flokët përthithin këtë kombinim, veçanërisht nëse janë të çelët, rezultati është ngjyra e gjelbër.
Kutikula e flokut, e cila shpesh është e hapur për shkak të dëmtimit, ndihmon më tej që metalet të depërtojnë dhe të ngjyrosin fijet, transmeton Telegrafi.

Mbrojtja e parë: Lajeni flokun menjëherë pas daljes nga pishina
Hapi më i thjeshtë dhe shpesh i anashkaluar është të lani flokun menjëherë pas daljes nga pishina me një shampo të butë. Kjo ndihmon që uji i klorinuar të hiqet para se grimcat metalike të lidhen me fijet e flokut.
Edhe nëse nuk keni shampo me vete, mjafton një shpëlarje me ujë të pastër; çdo kontakt me ujë të pastër është më i mirë se asgjë.
Ketchup-i si balsam natyral
Mund të tingëllojë e çuditshme, por ketchup-i ose salca e domates mund të veprojë si një toner i lehtë. Aciditeti i tij neutralizon ngjyrën e gjelbër, ndërsa vitamina C dhe lëngu i frutit ndihmojnë në hidratimin dhe mbylljen e kutikulës.
Mund të përdorni edhe domate të freskët të shtypur, të përzier me pak lëng limoni, dhe ta vendosni në flokë të lagur menjëherë pas notit.
Lëreni të veprojë për 15 minuta, pastaj lani flokun me shampo të butë. Kini kujdes me rrobat, sepse domatja mund të lërë njolla, prandaj rekomandohet ta mbështillni flokun me letër kuzhine ose peshqir gjatë trajtimit.
Soda e bukës
Soda e bukës është një aleat efektiv, por i ashpër. Përziejeni me pak ujë derisa të bëhet pastë e trashë dhe aplikojeni në flokë të lagur, vetëm në zonat me nuanca të gjelbra.
Lëreni të qëndrojë rreth 10 minuta, pastaj shpëlajeni mirë. Soda largon në mënyrë efektive mbetjet nga sipërfaqja e flokut, por mund ta thajë më shumë nëse përdoret shpesh.
Pas përdorimit rekomandohet domosdoshmërisht një balsam ushqyes. /Telegrafi/