Lëvizja Vetëvendosje në Prizren përmes një konference për media ka akuzuar kryetarin Shaqir Totaj për keqpërdorim të subvencioneve nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, raporton 04 Online.
Sipas LVV-së, fondet janë ndarë në mënyrë selektive për përfitues të lidhur me PDK-në, ndërsa projektet me traditë janë anashkaluar.
Komunikata e plotë e LVV-së në Prizren:
𝐾𝑂𝑀𝑈𝑁𝐼𝐾𝐴𝑇𝐸̈ 𝑁𝐺𝐴 𝐾𝑂𝑁𝐹𝐸𝑅𝐸𝑁𝐶𝐴 𝑃𝐸̈𝑅 𝑀𝐸𝐷𝐼𝐴
𝐿𝑒̈𝑣𝑖𝑧𝑗𝑎 𝑉𝐸𝑇𝐸̈𝑉𝐸𝑁𝐷𝑂𝑆𝐽𝐸! – 𝑄𝑒𝑛𝑑𝑟𝑎 𝑛𝑒̈ 𝑃𝑟𝑖𝑧𝑟𝑒𝑛
𝐀𝐛𝐮𝐳𝐢𝐦 𝐦𝐞 𝐬𝐮𝐛𝐯𝐞𝐧𝐜𝐢𝐨𝐧𝐞𝐭 𝐤𝐮𝐥𝐭𝐮𝐫𝐨𝐫𝐞: 𝐃𝐫𝐞𝐣𝐭𝐨𝐫𝐢𝐚 𝐩𝐞̈𝐫 𝐊𝐮𝐥𝐭𝐮𝐫𝐞̈, 𝐑𝐢𝐧𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐒𝐩𝐨𝐫𝐭 𝐧𝐞̈𝐧 𝐬𝐡𝐞̈𝐫𝐛𝐢𝐦 𝐭𝐞̈ 𝐢𝐧𝐭𝐞𝐫𝐞𝐬𝐚𝐯𝐞 𝐤𝐥𝐧𝐚𝐨𝐫𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐒𝐡𝐚𝐪𝐢𝐫 𝐓𝐨𝐭𝐚𝐣𝐭
Sot jemi mbledhur para jush për të ndarë me opinionin publik shqetësimet tona serioze lidhur me qeverisjen e dështuar të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe konkretisht me keqpërdorimet sistematike në ndarjen e subvencioneve nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS).
Në vazhdën e reagimeve tona të mëhershme dhe pas dhjetëra ankesave që kemi pranuar nga organizata, klube dhe individë të komunitetit kulturor, sportiv dhe rinor, jemi të detyruar të denoncojmë publikisht një proces tërësisht të politizuar, të manipuluar dhe të ndikuar nga klientelizmi.
Keqpërdorimi i parasë publike dhe diskriminimi i skajshëm
Vendimi i fundit për ndarjen e subvencioneve tregon qartë se këto mjete janë shpërndarë në mënyrë selektive, pa kritere të barabarta dhe në shërbim të interesave të ngushta politike të pushtetit lokal. Nga përbërja e komisionit vlerësues, ku 3 nga 5 anëtarë janë eksponentë të PDK-së, e deri te përfituesit që janë familjarë të stafit të kryetarit apo organizata të themeluara brenda këtij mandati — gjithçka flet për një rrjet të mirëorganizuar klientelist të ndërtuar dhe ushqyer nga vetë kryetari Totaj.
Festivalet dhe projektet me traditë shumëvjeçare, të cilat kanë pasur ndikim të vërtetë ekonomik dhe kulturor në qytet, janë ndëshkuar. Ndërkohë, iniciativa të lidhura direkt me kryetarin janë subvencionuar bujarisht. Madje, vetë Totaj ka dalë publikisht si ideator dhe organizator i njërit prej festivaleve, duke e kapur në mënyrë të pashembullt një rol që duhej të ishte institucionalisht neutral.
Punime pa leje dhe abuzime të dokumentuara
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, përveç ndarjeve të padrejta të subvencioneve, është përfshirë edhe në kryerjen e investimeve kapitale pa leje ndërtimore. Janë së paku tre raste të dokumentuara dhe të sinjalizuara, por kryetari Totaj ka zgjedhur të heshtë dhe të mos marrë asnjë masë.
Nga qytet i kulturës në kulturën e klientelizmit
Prizreni, dikur një shembull frymëzues i zhvillimit të pavarur artistik dhe kreativitetit të lirë qytetar, sot po rrëshqet në një realitet të zymtë, ku militantizmi dhe servilizmi politik janë bërë kriter për përfitim. Kultura nuk është më një hapësirë për ide dhe vlera, por një mjet për riciklimin e parave publike në funksion të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme.
Kërkesat tona të qarta:
Anulimi i menjëhershëm i procesit të fundit të ndarjes së subvencioneve;
Hetim i pavarur dhe i thelluar nga organet kompetente për këtë proces dhe për investimet e realizuara pa leje;
Rifillimi i një procesi të ri, të ndershëm dhe profesional, me këto standarde minimale:
Komision vlerësues profesional dhe i pavarur, me përfaqësues të komunitetit kulturor, sportiv dhe rinor;
Kritere publike dhe të matshme, të njëjta për të gjithë aplikuesit;
Eliminim të çdo ndikimi politik dhe klientelist;
Mbështetje për projekte me vlera reale kulturore, jo për rrethin e ngushtë të pushtetit.
Kultura nuk është çiflig partie. Buxheti komunal nuk është pronë e PDK-së.
Ne do të vazhdojmë të jemi zëri i atyre që padrejtësisht janë lënë jashtë. Ne do të mbrojmë interesin publik dhe do të kërkojmë përgjegjësi për çdo shkelje që dëmton Prizrenin dhe qytetarët e tij.