Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prizren ka reaguar përmes një komunikate pas raportimeve se drejtori i Inspektoratit komunal, Islam Ukimeri, ka përfituar mbi 48 mijë euro përmes kompanisë së tij private “Bashkimi Reisen” në organizimin e ekskursionit për maturantët e shkollës “Luciano Motroni”, raporton 04 Online.
Sipas VV-së, tenderi u manipulua për t’i siguruar fitoren kompanisë së Ukimerit, duke përjashtuar konkurrentët. Ata akuzojnë kryetarin Shaqir Totaj dhe PDK-në për qeverisje të korruptuar dhe kërkojnë hetim të menjëhershëm nga organet kompetente.
Komunikata e plotë i LVV-së në Prizren:
Skandal në Komunën e Prizrenit: Drejtori i Inspektoratit, Islam Ukimeri – përfiton mbi 48 mijë euro nga maturantët – Kryetari Totaj hesht!
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Prizren shpreh shqetësimin e saj për skandalin e publikuar në media lidhur me përfitimin financiar të drejtorit të Inspektoratit komunal, Islam Ukimeri, përmes kompanisë së tij private “Bashkimi Reisen”, në organizimin e ekskursionit të maturantëve të shkollës së mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren.
Sipas raportimeve në media, Ukimeri, nga Komuna e Prizrenit ka përfituar 48,150 euro përmes një tenderi të dyshimtë, të organizuar për dërgimin e 450 maturantëve në Shqipëri.
Procesi i tenderimit u karakterizua nga anulimi i procedurës fillestare dhe përjashtimi i kompanisë konkurrente, për t’ia mundësuar fitoren kompanisë së drejtorit komunal, Islam Ukimeri.
Rasti i njëjtë dhe raste të tjera të ngjajshme përfaqësojnë thelbin e një qeverisjeje të korruptuar, ku zyrtarët e emëruar nga kryetari Shaqir Totaj dhe PDK e përdorin pushtetin për përfitime personale dhe shpërfillin çdo standard moral dhe ligjor.
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren – fton organet kompetente që të fillojnë hetimet ndaj këtij rasti skandaloz, ku ekzistojnë dyshime të bazuara për manipulim të procedurave të tenderimit, për qëllime të përfitimit nga individ me pozita të larta publike.