Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes një komunikate ka përshëndetur nisjen e hetimeve nga Prokuroria ndaj ndërtimeve të kundërligjshme në Komunën e Prizrenit, duke përfshirë objektin në pronësi të vëllait të shefit të kabinetit të kryetarit Totaj, raporton 04 Online.
LVV-ja, siç thuhet në komunikatën e saj, kërkon zgjerim të hetimeve ndaj vetë kryetarit Totaj dhe zyrtarëve tjerë për presion ndaj administratës dhe shkelje ligjore. Sipas tyre, rasti është pjesë e një sistemi më të gjerë të keqpërdorimeve dhe nepotizmit në qeverisjen lokale.
Komunikata e plotë e LVV-së në Prizren:
𝐑𝐞𝐚𝐠𝐢𝐦 𝐢 𝐋𝐞̈𝐯𝐢𝐳𝐣𝐞𝐬 𝐕𝐄𝐓𝐄̈𝐕𝐄𝐍𝐃𝐎𝐒𝐉𝐄! 𝐐𝐞𝐧𝐝𝐫𝐚 𝐧𝐞̈ 𝐏𝐫𝐢𝐳𝐫𝐞𝐧 𝐥𝐢𝐝𝐡𝐮𝐫 𝐦𝐞 𝐡𝐞𝐭𝐢𝐦𝐞𝐭 𝐩𝐞̈𝐫 𝐬𝐡𝐤𝐞𝐥𝐣𝐞𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐢𝐦 𝐝𝐡𝐞 𝐤𝐞𝐪𝐩𝐞̈𝐫𝐝𝐨𝐫𝐢𝐦𝐞𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐊𝐨𝐦𝐮𝐧𝐞̈𝐧 𝐞 𝐏𝐫𝐢𝐳𝐫𝐞𝐧𝐢𝐭
Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Prizren mirëpret fillimin e hetimeve ndaj shkeljeve ligjore dhe procedurale në fushën e ndërtimit, që lidhen me objektin e ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme në pronësi të vëllait të shefit të kabinetit të kryetarit të Komunës, z. Nehat Elshani. Rikujtojmë opinionin publik se Lëvizja VETËVENDOSJE!, përmes këshilltarëve të sajë komunalë në KK Prizren, ka ushtruar më herët kallëzim penal ndaj disa zyrtarëve komunalë lidhur me shkeljet ligjore të evidentuara edhe nga emisioni “Betimi për Drejtësi”. Fakti që Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar tashmë nisjen e hetimeve, është një dëshmi e qartë për seriozitetin dhe përkushtimin e Grupit tonë të Kuvendarëve në luftën kundër keqpërdorimeve dhe korrupsionit.
Të dhënat e raportuara nga mediat, përfshirë rastet e prezantuara në emisionin “Betimi për Drejtësi”, dëshmojnë për një presion të vazhdueshëm ndaj zyrtarëve të urbanizmit nga ana e kryetarit të komunës, z. Shaqir Totaj, dhe shefit të tij të kabinetit, me qëllim për të ndikuar në marrjen e vendimeve të kundërligjshme që favorizojnë familjarë dhe të afërm të tyre.
Kërkojmë nga organet e hetuesisë që të zgjerojnë hetimet përtej rastit specifik, duke përfshirë edhe veprimet e dyshuara të z. Totaj dhe z. Elshani, për të hetuar veprat penale të mundshme si ushtrim ndikimi dhe presion ndaj zyrtarëve publikë. Sipas raportimeve, ndikimi i tyre konkret është ushtruar ndaj një zyrtareje të urbanizmit në lidhje me lejen ndërtimore të objektit të përmendur.
Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh shqetësimin e thellë për degradimin urban që po i ndodh qytetit të Prizrenit nën qeverisjen e z. Shaqir Totaj, nga Partia Demokratike e Kosovës. Premtimet e dhëna në fushatën zgjedhore janë braktisur, ndërsa është thelluar nepotizmi dhe favorizimi i një rrethi të ngushtë të lidhur me njerëz të fortë të PDK-së.
Rastet e evidentuara në emisionin investigativ janë vetëm maja e ajsbergut. Kemi të bëjmë me një sistem të institucionalizuar të keqpërdorimeve, ku lejet e ndërtimit jepen në kundërshtim me ligjin, duke dëmtuar rëndë karakterin urbanistik të qytetit tonë.
I bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të ndërmarrin një hetim të gjithanshëm, të pavarur dhe profesional ndaj të gjithë personave të përfshirë, pa përjashtuar edhe z. Totaj dhe z. Elshani, për të garantuar se ligji zbatohet për të gjithë njësoj dhe se askush nuk është mbi të.
Vetëm përmes një transparence të plotë dhe ndëshkimit të atyre që keqpërdorin funksionin publik, mund të mbrojmë interesin publik dhe të ndalojmë shndërrimin e Prizrenit, këtij qyteti historik, turistik e kulturor, në një “xhungël urbanistike”.