Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren ka akuzuar pushtetin komunal për keqpërdorim të buxhetit publik përmes subvencionimit të festivalit “Rock & Blues”, raporton 04 Online.
Vetëvendosje e cilëson këtë si një skemë klienteliste që shkel parimet e transparencës dhe kërkon hetim urgjent nga organet kompetente.
Reagimi i plotë i LVV-së në Prizren:
Kultura e kapur dhe subvencione me porosi
Rasti i subvencionimit të festivalit “Rock & Blues” nuk është as rastësi, as gabim administrativ; është një skemë e mirëorganizuar klienteliste që shkel çdo parim të transparencës dhe ndershmërisë institucionale.
Hekuran Gashi, i cili përfiton qindra mijëra euro nga buxheti publik përmes këtij festivali, nuk është as emër i skenës muzikore rock & blues, as kontribues në jetën kulturore të qytetit dhe as emër i njohur i shoqërisë civile. Përkundrazi, ai është një eksponent politik i PDK-së, i njohur për mbështetjen e hapur ndaj Shaqir Totajt dhe kandidatëve të PDK-së në zgjedhjet komunale të vitit 2021.
Po ky person, i njohur si shok i ngushtë i djalit të Shaqir Totajt, shihet shpesh në shoqërinë e vetë kryetarit dhe, “rastësisht”, është edhe themeluesi e drejtuesi i organizatës në emër të së cilës Totaj flet publikisht, sikur të ishte pronë e tij.
Shoqata “Melodia e Rok & Bluz në Turizëm”
Është e rëndësishme të theksohet se kjo organizatë është themeluar pas marrjes së mandatit të Shaqir Totajt si kryetar komune, duke e bërë edhe më të qartë lidhjen direkte ndërmjet pushtetit komunal dhe përfituesit të subvencionit. Pra, kemi të bëjmë me një organizatë të krijuar “me porosi” për të kanalizuar fonde publike drejt njerëzve të afërt me kryetarin dhe partinë e tij.
Vlerat e subvencioneve të ndara për këtë festival flasin vetë:
2023: 58,000 €
2024: 95,000 €
2025: 119,000 €
Në vetëm tre vite kjo organizatë ka përfituar gjithsej 272,000 euro nga buxheti komunal, në rritje të vazhdueshme, duke dëshmuar një favorizim të hapur dhe sistematik.
Ky nuk është vetëm mashtrim etik, por edhe keqpërdorim i pozitës zyrtare, ku një kryetar komune përdor autoritetin e tij për të favorizuar njerëzit e rrethit të vet – politikisht, personalisht dhe familjarisht.
Kjo është fytyra e vërtetë e keqqeverisjes së Shaqir Totajt: uzurpim i fondeve publike, kapje e skenës kulturore, nënçmim i talenteve të vërtetë të qytetit dhe kthim i kulturës në mall politik për përdorim elektoral.
Si Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren, e denoncojmë publikisht këtë model të kalbur qeverisjeje dhe kërkojmë që organet kompetente të hetojnë me urgjencë shpërdorimin e buxhetit komunal për interesa të ngushta partiake dhe familjare.
Prizreni është kryeqyteti i kulturës, jo i klientelizmit.