Siç edhe ua kemi komunikuar ditën e premte, sot, Grupi i Kuvendarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! – Qendra Prizren, ka dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për diskutimin rreth çështjes së tatimit në pronë, konkretisht iniciativës tonë për faljen e tatimit në pronë në vlerën deri në 100 euro për taksapaguesit e komunës tonë, thuhet në njoftimin e LVV-së në Prizren.
“Ne falenderojmë secilin asambleist për dhënien e nënshkrimit me ç’rast edhe e kanë bërë të mundur mbajtjen e kësaj seance.
Argumentimet tona për këtë çështje do t’i shprehim edhe në seancën e Kuvendit Komunal.
Bëjmë thirrje për të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal, por dhe ekzekutivit komunal, që ta mbështesin këtë iniciativë, duke përkrahur:
DEKLARATËN E KUVENDIT KOMUNAL PËR FALJEN E TATIMIT NË PRONË NË VLERËN DERI NË 100 EURO PËR TË GJITHË TAKSAPAGUESIT.
Nga ky propozim për vitin 2023:
– 85% e taksapaguesëv nuk do të paguanin ASGJË për vitin 2023 (atyre që tashmë e kanë bërë do të ju llogaritej si parapagim për vitin vijues);
– 10% do të paguanin më pak se 100 euro për vitin 2023, si dhe,
– Vetëm 5% e tatimpaguesëve (që përfshinë edhe bizneset) do të paguanin më tepër se 100 euro.
Gjithashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës, përbrenda këtij viti, është zotuar se do të sjellë në Kuvend për votim ligjin e ri për tatimin në pronë, i cili rregullon edhe ligjërisht çështjen në fjalë në bazë të përshkrimit të mësipërm”, thuhet në njoftim./04 Online