Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për raundin e balotazhit në Komunën e Prizrenit, shkruan 04 Online.
Kandidati për kryetar të Prizrenit nga Vetëvendosje, Artan Abrashi, dhe kryetari i AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit, për të bashkuar forcat në garën e 9 nëntorit.
Kjo marrëveshje synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet dy subjekteve politike në mënyrë që të sigurohet një qeverisje lokale më e bashkërenduar dhe me fokus në zhvillimin e qytetit të Prizrenit.
Sipas përfaqësuesve të të dy partive, marrëveshja është rezultat i një vullneti të përbashkët për ndryshim pozitiv dhe për të vendosur interesin e qytetarëve mbi dallimet partiake.
Njoftimi i plotë i Artan Abrashit
Marrëveshje bashkëpunimi për Prizrenin
Sot, në Prizren, Lëvizja Vetëvendosje! – Qendra në Prizren, e përfaqësuar nga unë si kryetar, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e përfaqësuar nga kryetari z. Besnik Krasniqi, nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për të ndërtuar një qeverisje të drejtë, transparente dhe zhvillimore për qytetin tonë.
Ky bashkëpunim ka vetëm një qëllim: t’i shërbejmë qytetarëve të Prizrenit dhe të garantojmë që çdo projekt, çdo investim e çdo vendim të jetë në dobi të komunitetit tonë.
Bashkë, me përkushtim dhe përgjegjësi, do të punojmë për:
• zhvillim ekonomik e infrastrukturor,
• arsim e rini,
• qeverisje të hapur dhe llogaridhënëse.
Prizreni është mbi çdo interes partiak.
Për qytetin tonë, për të ardhmen e përbashkët.
Njoftimi i plotë i Besnik Krasniqit
Njoftim për opinionin publik
Në bazë të vendimit të Kryesisë së Degës së AAK-së në Prizren dhe në pajtueshmëri me Statutin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,
sot kemi nënshkruar marrëveshje te koalicionit qeverisës me z. Artan Abrashi, kandidat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Aleanca, dega në Prizren, mbetet e përkushtuar që, në përputhje me programin tonë politik e zhvillimor, të jetë gjithmonë pranë qytetarit dhe në shërbim të tij.
Ne zotëhemi se do të përfaqësojmë me dinjitet interesat e qytetarëve tanë në çdo nivel të qeverisjes lokale dhe se do të punojmë me përkushtim për një Prizren të drejtë, të zhvilluar dhe të bashkuar.
/04 Online/















































